Aktuale

Stavileci: VV organizatë terroriste, edhe gjyqtarët janë të frikësuar

Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, duke thënë se do t’i shtjerrin të gjitha mundësit kushtetuese për ta vërtetuar vullnetin e mirëfilltë të qytetarëve në Prizren.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci tha se ka mjaftueshëm dyshime se kjo drejtësi është e terrorizuar dhe e frikësuar siç i ka quajtur ai nga terroristët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Stavilecit, procesi zgjedhor me të gjitha procedurat që bart më vete, duhet të jenë procese të garantuara në procesin e mbarëvajtjes, ku në rast se cenohet ndonjëri nga ta, askush nuk duhet t’i frikësohet verifikimit të provave.

Ai në një konferencë për media tha se do t’i shtjerrin të gjitha mundësitë kushtetuese për ta vërtetuar vullnetin e mirëfilltë të qytetarëve.

“Asnjëri nga subjektet politike nuk duhet të ketë frikë nga vërtetimi i provova që dëshmojnë vërtetësinë e asaj që ndodhet brenda kutive të votimit, përkundrazi, fituesi vetëm është më legjitim. Ne nuk do të ndalemi me kaq, do t’i shtjerrim të gjitha mundësit kushtetuese për ta vërtetuar vullnetin e mirëfilltë të qytetarëve”, tha ai.

Stavileci tha se shpresojnë që vendimi i Gjykatës nuk është marrë nën presionin e terroristëve të Vetëvendosjes, pasi që është vërtetuar se organizata “Syri i popullit” është themeluar nga zyrtarë të Vetëvendosjes. Ai shtoi se anëtari i kësaj partie Sadri Ramabaja javë më parë u kap duke provuar të ikte ilegalisht përmes Shqipërisë pas ftesës së Prokurorisë Speciale si njëri nga themeluesit e këtij grupi terrorist që po planifikonte vrasjen e 20 personave në Kosovë.

“Po dëshmohet me fakte se VV jo vetëm që bënë linqime, shpifje, propaganda, terrorizime, sulme, por ka edhe lista për likuidim. Ata po arrestohen e pastaj po lirohen sepse gjykatësit ndihen të frikësuar nga këta kërcënues. Militantë të kësaj organizate terroriste nuk u dënuan për djegien e institucioneve dhe lëndimin e gjakosjen e policëve. E patë edhe dje se si fotografonin policët që arrestuan deputetët e partisë Vetëvendosje, sepse kështu ata do të jenë pjesë e sistemit linques publik”, tha ai.

Sipas Stavilecit, Vetëvendosje i ka futur në palcë frikën gjithë atyre që nuk u rreshtohen nga pas, përderisa është dëshmuar me fakte se zyrtarë të kësaj partie me bërthamë terroriste janë të përfshirë në korrupsion, terrorizëm dhe lidhje mafioze./KP/