Aktuale

Stavileci: Ne jemi të sigurt se votuesit do të zgjedhin një Fillim të Ri

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, në konferencën e parë të këtij subjekti për ditën e sotme ka thënë se janë të sigurt se votuesit do të zgjedhin një ‘Fillim të Ri’.

Ai ka thënë se të gjitha indikacionet tregojnë për një fitore të jashtëzakonshme të koalicionit PDK-AAK dhe Nisma. Po ashtu, ai tha se kanë parë një dalje shumë të lartë në zonat e rëndësishme për PDK-në.

“Ne jemi të sigurt se votuesit do të zgjedhin një Fillim të Ri, të gjitha indikacionet tregojnë për një fitore të jashtëzakonshme, masive të koalicionit PDK-AAK dhe Nisma. Po shohim një dalje shumë të lartë në zonat e rëndësishme për Parinë Demokratike të Kosovës dhe partnerët e koalicionit. Ne presim që ky trend të vazhdoj, siç e dini kryetari Kadri Veseli ka votuar në shkollën fillore “Faik Konica”, në orën 10:36. Partia Demokratike e Kosovës është struktura organizative më e fortë në vend dhe ne jemi të lumtur nga raportet që po i marrim nga tereni në çdo komunë. Ne kemi parë raportime se jo shumë njerëz po votojnë në Istog, por ende është herët dhe janë edhe shumë orë të tjera për të votuar”, tha ai.

Stavileci tha se kanë parë që një zyrtar i qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq është përpjekur të ndikoj në procesin zgjedhor në Mitrovicë. Ai tha se duhet të tregojnë forcë për të ju kundërvënë përpjekjeve të Serbisë për të ndikuar në zgjedhjet e Kosovës.

“Po ashtu, ne kemi parë raporte të një zyrtari të qeverisë së Serbisë, konkretisht Marko Gjuriq i cili u përpoq të ndikoj në procesin zgjedhor në Mitrovicë i cili për mijëra serb të cilët janë nisur nga Serbia për në pjesën veriore të vendit ku pretendojnë të votojnë siç njoftoj vetëm pak qaste më parë portali Koha. Ne duhet të tregojmë forcë për tu kundërvënë përpjekjeve të Serbisë për të ndikuar në zgjedhjet tona”, tha ai. /kp