Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci së bashku me kryetaren e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila e kanë vizituar fabrikën e kromit në fshatin Devë të kësaj komune për t’u njoftuar më për së afërmi me punën dhe problemet që ballafaqohet kjo fabrikë.
Ministri Stavileci tha se kjo fabrikë është një nga shembujt më të mirë të zhvillimit të ekonomisë në Kosovw, derisa shtoi se do të shihet mundësia që veprimtarive të tilla t’iu u lehtësohet kostoja e punës.
“Kjo fabrikë të cilën ne po e vizitojmë sot e të cilën e pamë edhe nga afër dhe u njoftuam me procesin e punës është nga shembujt e mirë se si mund të shfrytëzohen. Ndoshta ne gjithmonë jemi të prirur të shkojmë nga gjërat e mëdha, kah investimet e mëdha e i harrojmë gjërat e vogla, me investime të vogla por shumë të çmueshme edhe në kuptimin e të mirave ekonomike që ato sjellin edhe të punësimit dhe në këtë drejtim mendoj që edhe kjo fabrikë sikurse edhe disa të tjera që operojnë në vendin tonë do të duhej të shihnim të gjitha mundësitë se si t’i rrisim këto kapacitete, kryesisht në dy drejtime. E para që lidhet me zgjerimin e burimeve dhe vëllimit të lëndës së parë, ashtu siç na u prezantua nga drejtuesit e kompanisë dhe e dyta ndoshta edhe me disa prej problemeve me të cilat ata ballafaqohen sot në kuptimin e kostove të prodhimit që ata e kanë dhe ndoshta edhe në këtë drejtim duhet parë mund ësitë se si ekzistojnë që kjo kompani në bashkëpunim pastaj me operatorët tjerë për të parë se a ka ndonjë mundësi në mënyrë që këtyre t’iu reduktohet kostoja operative e të kenë lehtësime të caktuara”, tha Stavileci.
Kurse, kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se qëllimi i saj si kryetare e komunës është që të rritet numri i vendeve të punës.
“Është një vizitë e planifikuar shumë më herët në mënyrë që përveç faktit se e respektojmë vlerën e investimit që është investitori dhe në partneritet nga Republika e Shqipërisë dhe Kosovës por gjithashtu edhe për faktin të shihen mundësitë e zhvillimit të mëtutjeshëm të industrisë së kromit, industri kjo e cila dikur në komunën e Gjakovës ka pas peshë të rëndësishme për zhvillimin industrial dhe jo vetëm në Gjakovë por në gjithë ish-Jugosllavinë”, tha Kusari-Lila.
Kurse, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se kjo fabrikë është ndërtuar në qendër të mineraleve.
“Është një shembull i shkëlqyer i një bashkëpunimi i të dy anëve të kufirit. Natyrisht kjo fabrikë është e vetmja në rajon, e kur flas në rajon nuk kam parasysh vetëm Gjakovën por e kam parasysh edhe Tropojën, Hasin, dom me thënë është qendra, është ndërtuar në mes të mineraleve këtu dhe për ne nuk ka rëndësi ku merret minerali, në Shqipëri apo Republikën e Kosovës por e rëndësishme është që të prodhohet, të bashkëpunohet në mënyrë që të rritet efektiviteti i kësaj fabr ike e cila ka krijuar një emër të mirë dhe e ka një treg të sigurt në perëndim”, tha Minxhozi.
Fabrika e Kromit është riaktivizuar në Gjakovë pas disa viteve mosfunksionimi./KP