Testimi që nisi ditën e djeshme për bërjen me pagesë të rrugës së Kombit nga kompania që ka fituar koncensionin ka ngjallur shumë reagime si në Shqipëri po ashtu edhe në Kosovë.
Pas dy javësh kush kalon në rrugën e Kombit do jetë i detyruar që të paguajë, duke nisur nga 2.5 euro për motorët, 5 euro për autoveturat dhe deri në 22.5 euro për kamionët e tonazhit të rëndë.
Qytetarë të shumtë i janë ankuar kryeministrit Edi Rama për tarifat e larta, ndërsa ditën e sotme ai ka zgjedhur që përmes një komenti të përgjigjet për tarifën që do të paguajnë qytetarët për të kaluar në rrugën e Kombit.
Rama thotë se nuk ka pagesë 10 euro, por është 5 euro. Në fakt, kryeministri deri diku ka të drejtë, por ai harron të thotë se një qytetar nga Kosova nëse vjen në Shqipëri do të paguajë 5 euro, por ai është i detyruar të kthehet në shtëpi, duke paguar edhe 5 euro të tjerë, çka do të thotë se shumë e përgjithshme është 10 euro. Po ashtu, e njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët që do të udhëtojnë drejt Kosovës, apo drejt Kukësit.
Tarifën e lartë, kryeministri e justifikon me mirëmbajtjen e rrugës, e cila nuk është përfunduar plotësisht, dhe sipas tij, do të jetë kompani që do ta ndërtojë atë.
“Nuk ka pagese 10 euro Albi, eshte 5 euro, cmim qe paguhet kudo ne rajon dhe kontribut qe shkon per mirembajtjen e rruges, e cila u ndertua pjeserisht (nderkohe qe kompania do te perfundoje edhe ndertimin) dhe mbeti ne meshire te fatit nga pamundesia e mirembajtjes qe ka nje kosto jo te vogel!”. shkruan Rama në profilin e tij në ‘Facebook’.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës së Shqipërisë, ka dalë me një deklaratë për mediat, duke thënë se tarifat janë vendosur që në 2016, dhe nuk mund të ketë më negocim për to.