Drejtuesit e Spitalit Amerikan kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën Handikos me anë së cilës njerëzve me aftësi të kufizura do t’iu mundësohet që t’i bëjnë tri kontrolle falas gjatë vitit në këtë spital si dhe zbritje të çmimeve në operacione.
Drejtori i Spitalit Amerikan Novrus Caushaj , tha se kjo pjesë e popullsisë nuk ka nevojë vetëm për një kontribut, por edhe për shumë kontribute të tjera.
“Është në modulin e punës së Spitalit Amerikan në Prishtinë që të jetë pranë të gjithë njerëzve por moduli jonë kryesor është të jemi pranë njerëzve që vërtetë kanë nevojë dhe shoqata juaja vërtetë është përfaqësuesja e denjë e atyre njerëzve që kanë nevojë që në krah të tyre të kenë edhe Spitalin Amerikan. Ne iu premtojmë që do jemi shumë pranë jush për të ndihmuar dhe për t’iu shërbyer juve në çfarëdo keni nevojë . Nuk do të flas për shifra, por e rëndësishme për ne shifrat janë të kombinuara me marrëveshje . Shumë e rëndësishme për ne është vendimi që ne marrim që kemi pranë jush, na konsideroni si shtëpinë tuaj të dytë”, tha drejtori i Spitalit Amerikan.
Kryetari i Shoqatës Handikos , Afrim Maliqi , tha së kjo marrëveshje lehtëson marrjen e shërbimeve dhe është e nevojshme për të gjithë personat që janë të nevojshëm për këto shërbime.
“Kjo me të vërtetë është për t’u çmuar dhe për t’u respektuar për arsye se dihet mirëfilli se grupi më i rrezikuar apo grupi më i varfër në çdo vend të botës respektivisht edhe në Kosovë janë personat me aftësi të kufizuara dhe sikurse nevojat e çdo qytetari tjetër edhe të qytetarëve me aftësi të kufizuara janë ato çështjet shëndetësore të cilat i preokupojnë. Dhee sigurisht se kjo marrëveshje dhe këto shërbime, të cilat do t’i marrin në Spitalin Amerikan do t’ua lehtësojnë jetën sado pak përkundër vështirësive, të cilat i kanë në jetën e përditshme si në aspektin ekonomik financiar dhe marrjes së shërbimeve të tjera jo vetëm shëndetësore por edhe sociale”, tha Maliqi.
Sipas tij marrëveshje të tilla e përmirësojnë jetën dhe cilësinë e personave me aftësi të kufizuara.
Spitali Amerikan ka nënshkruar një varg marrëveshje me organizata të ndryshme me anë së cilave ua mundëson zbritje në shërbimet e tyre shëndetësore./KP