Aktuale

Specialja në aksion ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, avokatët flasin për ftesat

Dhomat e Specializuara të Prokurorisë që funksionojnë në kuadër të Gjykatës Speciale për krimet e luftës që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët, kanë nisur dërgimin e ftesave të para në Kosovë.
Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti dhe Safet Syla janë pesë emrat që deri më tani janë ftuar nga Specialja, shkruan lajmi.net.

E për mbrojtjen e këtyre të fundit si dhe të akuzuarve tjerë të mundshëm, do të përkujdesen mbi 100 avokatë mbrojtës.

Mirëpo, këta të fundit nuk po dinë asgjë rreth ftesave që po u bëhen personave në Kosovë.

Avokati i akredituar nga Specialja, Teki Bokshi, për lajmi.net thotë se avokatët nuk janë njoftuar për numrin e ftesave që janë dërguar në Kosovë, apo për cilësinë në të cilën janë thirrur.

“Kemi pasë komunikime me e-mail, ata kanë qenë në një seminar në dy takime për procedura për kushte dhe rrethana, mirëpo shumë çështje janë ende të paqarta”, thotë ai.

“Na kanë premtuar që do të ketë takime dhe do të ofrohen të dhëna, kanë ardhur njëherë një grup i avokatëve për me i shpjeguar procedurat”, ka thënë tutje ai.

Ndërkaq avokatja, Kada Bunjaku, për lajmi.net thotë se askush nga palët nuk e ka thirrur.

Sipas saj, procedura në fjalë është më zyrtare, dhe se avokatët nuk janë në dijeni për numrin e ftesave që është dërguar në Kosovë.

“Mua s’më kanë thirrur ende. Është një procedurë pak më zyrtare, mirëpo mua askush ende nuk më ka ftuar. Nuk jam në dijeni për numrin e ftesave ose për dikë tjetër që është akuzuar”, ka thënë ajo.

Në dijeni nuk është as avokati tjetër, Nexhat Beqiri.

Ai për lajmi.net tha se nuk është në dijeni për numrin e ftesave që janë dorëzuar në Kosovë dhe se fillimisht palët duhet ta autorizojnë atë.

Në ndërkohë, kryeministri Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, tha sot se Qeveria e Kosovës do t’u qëndrojë afër personave që ftohen nga kjo Gjykatë, dhe se do tu ofrojë ndihmë juridike kur do që është e nevojshme. /Lajmi.net/