Aktuale

Spasovski: Nuk më ka kërcënuar kush, Specialja do ta kryejë punën në DSK

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë Oliver Spasovski tha se procedura e Prokurorisë Speciale Publike në Drejtorinë e Sigurisë dhe Kundërzbulimit do të përfundojë në atë moment, kur nga kompania Erikson, që është prodhuese e pajisjeve për përgjim, do të vijë ekspert i cili do të ndihmojë për tërheqjen e të dhënave nga sistemi.

Ai në intervistën për TV 21 të Shkupit, mohoi se në MPB ka dy pushtete dhe se ka qenë i kërcënuar që të mos i përdorë ingerencat e tij ndaj funksionarëve në Ministri, të cilët e vunë në pikëpyetje korrektësinë e procedurës së prokurorëve specialë publikë.

“Askush nuk më ka kërcënuar dhe do të ishte  e kotë që të më kërcënonin, kjo gjë nuk kalon te unë. Përkundrazi, konsideroj se as kërcënimet e as çfarëdo lloji i trysnive  nuk mund ta pengojnë drejtësinë. Drejtësia duhet t’i kapë të gjithë ata që kanë bërë çfarëdo keqpërdorimi në Maqedoni”, u shpreh Spasovski.