Ministria e Shëndetësisë në Spanjë njoftoi se 435 persona kanë vdekur nga koronavirusi gjatë 24 orëve të kaluara.
Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave të virusit të ri në këtë vend shkoi në 21,717, ndërsa numri i rasteve të reja të infektimeve u rrit për 4,211 dhe shkoi në 208,389, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Për nga numri i të infektuarve, Spanja është vendi i dytë në botë pas Shteteve të Bashkuara, ndërsa për numrin e vdekjeve është e treta pas Shteteve të Bashkuara dhe Italisë.
Qeveria spanjolle po synon që t’i lehtësojë masat e kufizimit duke filluar nga pjesa e dytë e majit, bëri të ditur kryeministri Pedro Sanchez.
Punëtorët e sektorëve të caktuar e kanë rifilluar punën dhe fëmijët do të kenë të drejtë të dalin jashtë nga fundjava e ardhshme. Megjithatë, shumica e masave të tjera vazhdojnë të mbesin në fuqi.