Qeveria spanjolle ka dhënë urdhër që të gjithë udhëtarët e ardhur nga vendet e tjera të vendosen në karantinë dyjavore si përpjekje për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Personat e ardhur nga jashtë do të jenë të detyruar të qëndrojnë të mbyllur dhe do të kenë të drejtë të dalin vetëm për të blerë ushqim dhe për vizita mjekësore, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Ky vendim do të vlejë për udhëtarët që futen në Spanjë nga 15 deri më 24 maj, kur pritet të përfundojë gjendja emergjente. Sidoqoftë, gjendja emergjente dhe karantina mund të vazhdohen. Deri më tani, Spanja e ka zgjatur katër herë afatin e masave kufizuese nga mesi i marsit.
Masa e re do të vlejë për shumicën e udhëtarëve, përfshirë shtetasit spanjollë. Të liruar nga ky vendim janë vetëm vozitësit e kamionëve, ekuipazhi i aeroplanëve dhe anijeve, punëtorët kufitarë dhe stafi shëndetësor.
Spanja është në mesin e vendeve më të prekura nga koronavirusi në Evropë dhe në botë. Deri më tani, në këtë shtet janë regjistruar mbi 26 mijë viktima dhe më shumë se 220 mijë të infektuar me Covid-19. Sidoqoftë, vendi ka filluar t’i lehtësojë disa masa kufizuese në dhjetë ditët e kaluara.