Aktuale

Sot skadon afati – Orët e fundit të ultimatumit nga presidenti Thaçi

Sot në orën 16:00 përfundon ultimatumi prej 48 orësh që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ia dha liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit që ta propozojë emrin e mandatarit të qeverisë së re. Ndonëse Thaçi ka paralajmëruar Kurtin se pas këtij afati do të ndërmarrë veprime kushtetuese.

Vetëm disa orë kanë mbetur nga përfundimi i afatit kohor që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia dha pretenduesit kryesor për kryeministër të Kosovës Albin Kurtit.

Pas takimit që Kurti e Thaçi patën të hënën, takim ky që nuk prodhoi asnjë efekt juridik, presidenti njoftoi se ia ka caktuar Kurtit vetëm 48 orë për ta caktuar të nominuarin e partisë së tij për kryeministër të ri të vendit.

“Kam vendosur t’i ofroj z. Kurtit kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës para se t’i marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, kishte thënë Thaçi.

E derisa nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë kundërshtuar ashpër një veprim të tillë, njohësit e çështjeve kushtetuese të vendit për “Zërin” thonë se një ultimatum i tillë nuk parashihet me ligjet vendore.