Estonezët do të votojnë sot në zgjedhjet e përgjithshme. Partia në pushtet do të sfidohet nga partia liberale “Reforma” dhe populizmi që po vazhdon të shënojë rritje.
Kryeministri Juri Ratas deri tash ka qëndruar në pushtet përmes një koalicioni me katër parti të ndryshme. Sidoqoftë, të dhënat e sondazheve tregojnë që rezultati do të jetë i ngushtë dhe partia e tij mund të rrezikohet nga partia “Reforma”.
Vendin e tretë në këto zgjedhje pritet ta marrë Partia Popullore Konservatore, e cila ka bërë thirrje që populli të votojë në referendum për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Qendrat e votimit janë hapur në orën nëntë dhe do të mbyllen në orën njëzet. Gati një e katërta e 881 mijë personave me të drejtë vote tashmë kanë votuar përmes sistemit elektronik “e-voting”.
Në këto zgjedhje do të përcaktohet përbërja e re e kuvendit me 101 deputetë, ndërsa rezultatet preliminare pritet të publikohen në mesnatë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.