Aktuale

Sot intervistohet në Hagë edhe një ish- luftëtar i UÇK-së

Prokurori i Specializuar nga sot për tri ditë radhazi do të intervistojë në Hagë edhe një ish- luftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Faton Mehmetaj, do të merret në pyetje nga prokurori për tri ditë me radhë duke filluar nga sot, mandej 5 dhe 6 shkurt.

Mehmetaj gjatë luftës ka qenë përgjegjës për Zonën Operative të Dukagjinit, në sektorin e shërbimit informativ, përfaqësues politik i UÇK-së, shkrimtar, gazetar, etj.

Kujtojmë se FaktePlus ka raportuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të Gjykatës Speciale me seli në Hagë ende është në proces dhe do të vazhdojë me intervistimet.

Burime të FaktePlus tregojnë se së shpejti pritet të intervistohen edhe një numër ish- komandantësh e ish- pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Disa prej tyre intervistat do t’i japin në Prishtinë, e disa në Hagë.

Ky burim thotë se në listë për intervistim janë edhe figura të larta të luftës (emra të njohur për redaksinë) e që tani kanë poste me rëndësi në institucionet e Republikës së Kosovës.