Aktuale

Sot Dita Botërore kundër duhanit, kosovarët djegin miliona euro për cigare

Çdo vit, më 31 maj shënohet Dita Botërore Kundër Duhanit dhe thuajse në gjithë vendet e botës organizohen aktivitete për ndërgjegjësimin e qytetarëve lidhur me rreziqet që sjell konsumi i duhanit.

Sikurse viteve të kaluara këtë ditë në Kosovë e shënon Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, kurse organizata të ndryshme do të flasin për zbatushmërinë ose jo të ligjit për duhanin.

Kujtojmë Dita Botërore Kundër Duhanit, është shpallur në vitin 1987 nga vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat u përpoqën të ndërgjegjësojnë opinionin mbi dëmet dhe rreziqet e duhanit, si dhe të inkurajojnë reduktimin e prodhimit dhe konsumit të duhanit.

Sipas OBSH-së më shumë se tetë milionë njerëz vdesin çdo vit për shkak të përdorimit të duhanit. Shtatë milionë prej këtyre vdekjeve shkaktohen nga përdorimi i drejtpërdrejtë i duhanit, ndërsa 1,2 milion janë persona që nuk e përdorin duhanin, por vdesin për shkak se janë përdorues pasiv të tij.

OBSH tërheq vëmendjen se çdo vit rreth 65000 fëmijë në mbarë botën humbin jetën nga shqetësimet në rrugët e frymëmarrjes si pasojë e pirjes së duhanit në familje dhe të cilët përballen me pirjen pasive.

Kosovarët konsumues të mëdhenj të duhanit

Qytetarët e Kosovës janë mjaft të rrezikuar nga duhani, kjo pasi janë edhe konsumues të mëdhenj të këtij produkti të keq për shëndetin. Nga ajo që Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka raportuar më parë, shihet se kosovarët djegin miliona euro për cigare.

Të dhënat e Doganës së Kosovës të dhënë më parë për FaktePlus tregojnë se për një vit e gjysmë, respektivisht nga 1 janari i vitit 2017 deri në qershor të 2018 në Kosovë u shkrinë mbi 91 milionë euro për 4 milionë kilogram duhan.

Sipas Doganës, për gjithë vitin 2017, kosovarët blenë duhan në vlerë prej 61 milionë e 961 mijë euro.

Me këto para u importuan 2 milionë e 775 mijë kg, ndërsa vetëm në puro u shpenzuan 124 mijë euro, që vlera e tyre në kg ishte 1296.

Zyra për informim e Doganës së Kosovës konfirmoi për FaktePlus se vërehet një trend i rritjes së shpenzimeve të parasë për duhan në vitin 2018.

Sipas të dhënave, vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti, respektivisht nga janari deri më 31 qershor për importin e 1 milion e 252 kg duhan janë dhënë 29 milionë euro.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga vitit 2020 deri në vitin 2030, në tërë botën do të vdesin 30 milionë njerëz nga dëmet që shkakton duhani.

Në Kosovë, ndërkaq, thuhet se numri i të rinjve, të cilët pinë duhan është i madh dhe në rritje.

Kurse të dhënat e ndryshme të publikuara kohë pas kohe nga institucione të vendit e ndërkombëtare, tregojnë se qytetarët e Republikës së Kosovës janë më të varfrit në rajon dhe Evropë.

Të ardhurat mesatare për kokë banori në Kosovë, janë më të voglat krahasuar me gjithë shtetet e rajonit./FaktePlus