Gjatë dy javëve të fundit edhe qyteti i Kamenicës u kaplua nga numri i madh i rasteve me virusin COVID-19, raporton Front Online.
Deri më tani në Kamenicë me Coronavirus kanë rezultuar pozitiv 34 persona, teksa disa lagje dhe fshatra janë futur në karantinë.
Zëdhënësja për Informim në këtë komunë, Margarita Rashiti, ka thënë për “Front Online” se gjendja e të infektuarve është stabile.
“Gjendja shëndetësore e të prekurve me virusin SARS-SoV-2 në komunën tonë është stabile. Deri më tani kemi 34 persona të infektuar me këtë virus, prej të cilëve gjashtë janë shëruar”, ka thënë ajo.
E dje në këtë komunë, IKSHPK-ja ka marrë edhe 40 mostra të reja për testim.
“Gjatë ditës së djeshme janë marrë rreth 40 mostra nga IKShPK-ja për testim, për të cilat shpresojmë se do të rezultojnë negative”, ka bërë të ditur ajo për “Front Online”.
Kësaj komune përgjatë kësaj kohe u kanë dal në ndihmë si Ministria e Shëndetësisë ashtu edhe donatorët. Kjo sipas Rashitit ka ndikuar që gjendja të jetë e kënaqshme për sa i përket furnizimit me materiale shëndetësore.
“Furnizimi me materiale shëndetësore në QKMF për stafin shëndetësor është i kënaqshëm. Një pjesë e furnizimit ka qenë nga Ministria e Shëndetësisë, kurse e pjesa tjetër është siguruar nga donatorë të ndryshëm, për të cilët jemi shumë falënderues”, ka bërë të ditur Rashiti.
Për sa i përket respektimit të masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës, për mbrojtje ndaj Coronavirusit, Rashiti ka theksuar se qytetarët janë duke qëndruar në shtëpi.
“Fatmirësisht, qytetarët janë të vetëdijshëm se sa është e rëndësishme qëndrimi në shtëpi dhe kështu po ua lehtësojnë punën edhe njësiteve të sigurisë. Nga raportet e Policisë, gjendja në terren e sidomos në lokalitetet me persona të infektuar është e mirë”, ka thënë ajo.
Në Kosovë deri më tani nga virusi COVID-19, janë prekur 780 persona. Prej tyre 201 persona janë shëruar, si dhe janë shënuar 22 vdekje.