Qytetarët e Kosovës nuk besojnë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë në shuarjen e strukturave paralele dhe shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e Kosovës. Ndërsa, marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, sipas qytetarëve do të ndikojë në përkeqësimin e raporteve ndëretnike.
Këto të dhëna janë bërë të ditura të martën nga Instituti Demokratik i Kosovës, në publikimin rezultateve të sondazhit të tretë për Dialogun Kosovë-Serbi, 6 vite pas (mos) konsolidim i shtetësisë: këndvështrimi i qytetarëve rreth dialogut Kosovë-Serbi të zhvilluar nga 3 deri më 12 mars.
Jeta Krasniqi nga KDI-ja, tha se në bazë të sondazhit, qytetarët mendojnë se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në bazë të marrëveshjes së arritur në bisedime, do të ndikojë në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike.
“Ne sot po nxjerrim në pah qëndrimin e qytetarëve se si e shohin ata se si do të ketë ndikim AKS-ja në raportet ndëretnike. Duke konsideruar se kjo është ndër marrëveshjet me të përfolura të dialogut Kosovë-Serbi, marrëveshje e cila ka shkuar edhe në Kushtetuese e cila ka konstatuar se nuk është tërësisht në frymën e Kushtetutës, marrëveshje, e cila ka mbjellë një politizim të tejskajshëm, protesta, por edhe një bllokadë. KDI ka pyetur se si e shohin ata AKS-në dhe në bazë të gjeturave janë 46.1 për qind e qytetarëve që e shohin që formimi i AKS-së do të përkeqësojë raportet ndëretnike. Ndërsa kemi 38.8 për qind mendojnë se edhe pas themelimit të AKS-së do të mbesin të njëjta”, tha Krasniqi.
Por, sipas saj, janë dy prej çështjeve kryesore për të cilat duhet të merret këndvështrimi i qytetarëve, shuarja e strukturave paralele dhe shtrirja e sovranitetit. Kjo, meqë në bazë të sondazhit 48 për qind e qytetarëve mendojnë se nuk janë shuar strukturat paralele pas dialogut mes Kosovës e Serbisë.
“Në këtë sondazh KDI ka vlerësuar se duhet të diskutohen dy prej çështjeve kryesore që e kanë ndjekur dialogun Kosovë-Serbi që nga fillimi i saj, përkatësisht, shkuarjen e strukturave paralele dhe shtrirjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës në gjithë territorin e vendit. Janë këto dy çështje kryesore që KDI ka vlerësuar se duhet të merret këndvështrimi i qytetarëve pasi këto dyja e kanë ndjekur dialogun nga fillimi i saj. Ajo çfarë ne shohim si KDI në bazë të këtij sondazhi kur janë pyetur qytetarët pas gjashtë vite dialog nëse ata vlerësojnë se janë shuar strukturat paralele, shohim se janë 48.2 për qind e qytetarëve që vlerësojnë se nuk janë shuar strukturat paralele”, theksoi Krasniqi.
Ndërsa, sa i përket shtrirjes së sovranitetit, këtë sondazh qytetarët mendojnë se dialogu nuk ka ndikuar fare në shtrirjen e sovranitetit edhe pas 6 vjet të dialogut. 51 për qind e qytetarëve kanë thënë se nuk ka ndikuar dialogu në shtrirjen e sovranitetit, ndërsa vetëm 4 për qind mendojnë se dialogu ka ndikuar.
“Shuarja e strukturave paralele është ndërlidhur edhe me shtrirjen e sovranitetit të vendit. Edhe pas shpalljes së pavarësisë Kosova ende nuk e ka sovranitetin e shtrirë, legjitim dhe Kosova dhe institucionet e saj nuk janë duke vepruar në tërë territorin e vendit, në veçanti në veri. Ne kemi pyetur qytetarët se si e shohin shtrirjen e sovranitetit pas gjashtë vjet dialogu shohim se janë 51.1 për qind e qytetarëve që vlerësojnë se edhe pas gjashtë vjet dialogu Kosova nuk ka arritur ta shtrijë sovranitetin në veri të vendit”, tha Krasniqi.
Po ashtu, në këtë sondazh qytetarët janë pyetur edhe rreth integrimit të sistemit gjyqësor të veriut në sistemin unitar të Kosovës, në bazë të marrëveshjeve të Brukselit. Sipas sondazhit 58 për qind e qytetarëve nuk besojnë se gjykatat e veriut nuk do të integrohen sipas marrëveshjes për drejtësi të arritur në Bruksel. Madje, 60 për qind mendojnë se kjo marrëveshje nuk do të jetë e suksesshme.
Krasniqi tha se në bazë të këtij sondazhi ka mungesë të madhe të transparencës në dialog. Ajo tha se KDI rekomandon institucionet që ndërmarrin hapa për shuarjen e strukturave paralele, ngritjen e transparencës, shtrirja e sovranitetit e tjera.
“KDI i rekomandon Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të jenë më transparente në procesin e zbatimit të marrëveshjeve dhe në mënyrë të rregullt të raportoj për shkallën e zbatueshmerisë së tyre, për hapat pozitive, por edhe për ngecjet dhe mbi të gjitha për efektet që marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi do të sjellin në jetën e drejtpërdrejt të qytetarëve në tërë territorin e vendit. KDI i rekomandon qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit që të ndërmarrin hapa të shtuar për të shuar të gjitha strukturat paralele serbe të cilat janë ende në tërë territorin e vendit. Gjithashtu KDI i rekomandon institucioneve të vendit që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm dhe të jenë proaktiv në garantimin e shtrirjes së sovranitetit shtetëror të Kosovës në tërë territorin e vendit”, tha Krasniqi.
Sipas Krasniqit, ka ardhur koha që dialogu përveç që të riformatohet, të rikonstruktohet, tash të ketë edhe hapa konkret se si do të bëhet. Ajo me tej theksoi se ky do të jetë një sinjal për vendin dhe drejtuesit e këtij dialogu se duhet të ndryshojë diçka, qoftë në tema të cilat diskutohen, qoftë në zbatimin e tyre, qoftë në efektet të cilat priten që të jenë në teren. /KP