Rajon & Botë

Skandali me Wienstein, agjencia e zbulimit izraelit kërkon falje

Kompania e zbulimit izraelit Black Cube është përgjigjur ndaj raportimeve se ka punuar për producentin e përfshirë në skandalin e Hollywood-it, Harvey Weinstein dhe kërkoi falje nëse ka lënduar dikë.

Revista New Yorker raportoi ditë më parë se Weinstein ka angazhuar ndër tjerash edhe kompaninë izraelite për të lokuar dhe mbledhur informacione për aktoret dhe gazetarët që tentuan të paraqesin keqtrajtimin seksual që kishte bërë me dekada të tëra.

Sipas marrëveshjes së arritur në korrik, Weinstein direkt angazhoi kompaninë izraelite për të parandaluar raportimet origjinale të New York Times dhe New Yorker për të, si dhe për librin e aktores Rose Mcgowan, në të cilën në detaje përshkruhen akuzat për sulme seksuale.

“Kompania dënon çdo akt të dhunshëm, sidomos të shqetësimit seksual”, thuhet në deklaratën e Black Cube, ku shtohet se do të japin të gjitha të hyrat e siguruara nga ky rast për organizatat që mbështesin viktimat e sulmeve seksuale në Tel Aviv, Londër dhe Nju Jork. Kompania po ashtu konfirmoi se shërbimet e saja i ka përdorur producenti amerikan, por insiston se nuk ka vepruar kundër viktimave të tij, transmeton KosovaPress.

Po ashtu njoftoi se nuk është dashur të pranojë rastin Weinstein, pasi që politika e saj nuk merret me raste që kanë të bëjnë me keqtrajtime seksuale ose dhunë të këtij lloji.

“Ne kërkojmë falje nëse dikush është lënduar nga një gjë e tillë. Është turp që kemi pranuar këtë punë”, tha anëtari i këshillit menaxhues të kompanisë Asher Tishler për mediat izraelite.