Aktuale

Skandali me nxënësen nga Drenasi, Qalaj thotë se janë të përfshirë edhe policë tjerë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë të mërkurën se në skandalin e Drenasit, respektivisht në rastin e abuzimit seksual me një nxënëse nga kjo komunë, ka edhe të tjerë zyrtarë policorë që janë të dyshuar për përfshirje në këtë rast.

Ai bëri këto deklarata gjatë raportimit në Komisionin për Siguri në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku edhe u është përgjigjur pyetjeve të shumta të deputetëve.

Drejtori Qalaj tha se ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) informata nëse mund të marrë masa për rikonstruktimin e policisë në drejtorinë në Drenas, por është sugjeruar njëherë të mos prek asgjë.

“Më kanë thënë mos me prek asgjë se nuk është duke u hetuar vetëm një individ në polici, por ka hetim më të gjerë dhe mund të jenë të përfshirë edhe zyrtarë të tjerë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se të arrestuar për këtë rast janë edhe polici nga Drenasi, Veseli Veseli, si dhe profesori Shkëlzen Xhekaj, të cilët dyshohen se kanë abuzuar seksualisht me nxënësen e mitur A.G nga Drenasi.

Sipas ankesës së nxënëses 16 vjeçare, profesori ishte personi i parë që kishte abuzuar seksualisht me të, deri sa ajo e kishte denoncuar tek i dyshuari i dytë tashmë i arrestuar, zyrtari policor Vesel Veseli.

Por fatkeqësisht, pas marrjes së deklaratës në Stacioni e Policisë në Drenas, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, polici Vesel Veseli, nën kërcënim dhe shantazh e kishte futur në dorë nxënësen.

Siç është raportuar, pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vit, vajza kishte mbetur shtatzënë. Mandej polici Veseli e kishte detyruar vajzën të abortonte në klinikën e gjinekologut Fehmi Ahmeti në Prishtinë.

Tashmë polici dhe profesori janë arrestuar dhe u është caktuar masa e paraburgimit. Kurse mjeku në ordinancën ku është kryer aborti, Fehmi Ahmeti, është në arrest shtëpiak. Tani pas mbajtjes në paraburgim është në arrest shtëpiak edhe avokati Gazmend Halilaj./FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli