Aktuale

S’ka vaksina kundër gripit sezonal

Mungesa e vaksinave kundër gripit sezonal është vërejtur në disa komuna, kjo pasi ato që janë dërguar nga Instituti Kombëtar i Shëndet Publik janë të pamjaftueshëme. Kërkesat për t’u vaksionuar janë jashtëzakonisht të mëdha, derisa disa qendra të mjekësisë familjare kanë mbetur pa këto doza.

Nexhmedin Hoti, doktor i QKMF në Prishtinë, tha se numri i vaksinave të pranuara nga Instituti Kombëtar për Shëndet Publik nuk është i mjaftueshëm.

Ai tha se 600-700 doza të vaksinave janë marrë përgjatë dhjetë ditëve nga pacientët e komunës së Prishtinës.

Hoti theksoi se kanë marrë informatën nga po i njëjti institut që do të furnizohen brenda dhjetë ditëve me vaksina.

“Sasinë e parë të vaksinave është harxhuar brenda 10 ditëve ngase kemi pasur një fluks të madh të pacientëve, diku 600-700, kanë marrë vaksina në QKMF. Është harxhuar ajo sasi, sasia tjetër pritet me ardhë brenda 10 dite, informatën e kemi prej Institutit të Shëndetit Primar Publik që brenda 10 dite do të vjen sasia tjetër”, tha Hoti.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia tha për KosovaPress, se është rritë vetëdijesimi i qytetarëve për vaksinim kundër gripit sepse kontingjenti i parë vetëm sa ka mbaruar. Ai shtoi se kërkesa e qytetarëve sa i përket vaksinimit është në rritje viteve të fundit.

“Faza e parë me sa di unë janë rreth 50 mijë doza që kanë ardhur në gjithë Kosovën, mirëpo, menjëherë kontingjenti i parë vetëm ka mbaruar sepse është rritë vetëdijesimi tek njerëzit që duhet të vaksinohen kundër gripit, kështu që për momentin me sa di unë… jemi një fazë që nuk kemi. Kjo nuk varet nga ne, varet nga furnizimet që i bën Ministria e Shëndetësisë, që na sjellin përmes Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik … Kërkesa e qytetarëve sa i përket vaksinimit sidomos në tri, katër vitet e fundit është në rritje të vazhdueshme”, tha Vitia.

Kurse, Vllaznim Hoti, ushtrues i detyrës së drejtorit të QKMF-së në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress-in se edhe në komunën e Mitrovicës po mungojnë vaksinat për qytetarët dhe kërkesat janë jashtëzakonisht të larta.

Ai theksoi se kanë bërë kërkesë të re në Ministrinë e Shëndetësisë dhe janë në pritje të tre mijë dozave të reja.

“Më 28 shtator të këtij viti QKMF në Mitrovicë ka pranuar rreth 1600 doza kundër gripit, mirëpo për shkak të kërkesave jashtëzakonisht të mëdha të qytetarëve, aktualisht kemi mbetur pa këto doza. Kemi bërë kërkesë të re në Ministrinë e Shëndetësisë dhe jemi në pritje të rreth tre mijë dozave të reja”, tha Hoti.

Ndërsa, zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë, Faik Hoti i kontaktuar përmes telefonit i tha KosovaPress-it, se informata për mungesën e vaksinave në qytetin e Prishtinës dhe të Mitrovicës, e ka të mirën e saj, sepse, sipas tij kjo çështje po len të kuptohet se njerëzit janë vetëdijesuar dhe po e përfundojnë vaksinimin në kohë të duhur për t’u mbrojtur nga gripi sezonal.

Kurse për mungesën e vaksinave nëpër këto qendra, ai shtoi se është vetëm çështje logjistike.

“Pra, qendrat e mjekësisë familjare duhet të lajmërohen në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për mungesë të vaksinave duke iu kërkuar atyre furnizimin me vaksina, varësisht nevojës”, tha Hoti.

Ai përmendi se furnizimi ka qene me 50 mijë e 100 doza, dhe për dallim prej viteve të kaluara, tash këto doza kanë filluar të harxhohen dukshëm e jo të mbesin pa përdorim.

Një sasi prej 650 vaksinave mungon edhe në Komunën e Rahovecit, megjithatë, zyrtarët e drejtorisë së shëndetësisë në këtë komunë kanë thënë se furnizimi me kontingjentin tjetër të vaksinave, do të bëhet pas shpenzimit të sasisë e cila momentalisht është në dispozicion.

Kurse, në komunën e Vushtrrisë kanë deklaruar se është vërejtur një interesim i mirë qytetarëve për t’u vaksionuar, derisa kanë vaksinat e mjaftueshme për këtë komunë.

Vaksinat kundër gripit sezonal, merren pa pagesë në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare./KP