Ekonomi

Situata politike në Kosovë po i tremb investitorët e huaj

Produktet kosovare janë të cilësisë së lartë për t’u qasur në tregjet evropiane, mirëpo mbetet një punë e madhe për t’u bërë për të ngritur edhe më shumë nivelin e cilësisë dhe nivelin e prodhimit për të shtrirë produktete vendëse në tregjet evropiane.

Kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) Besian Mustafa.Me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) me Bashkimin Evropian, prodhuesit vendorë duhet të punojnë për t’u certifikuar me standarde ndërkombëtare në mënyrë që prodhiet vendëse të depërtojnë në tregjet e jashtme.

“Ne po inkurajojmë kompanitë kosovare dhe kemi një program të subvencionimit për t’u certifikuar produktet tyre në standarde ndërkombëtare, për të lejuar apo shpejtuar qasjen e këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare pasi edhe kemi nënshkruar edhe marrëveshjen e tregtisë të lirë me Bashkimin Evropian, pra MSA-në”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se institucioni që drejton ai, KIESA, ofron mbështetje të madhe sektorit privat, sidomos ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes granteve dhe subvencioneve, si dhe përmes pjesëmarrjes në panaire të ndrsyhme ndërkombëtare për të promovuar Kosovën si destinacion për të bërë biznes.“KIESA së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë ka pasur një program për grante për të blerë makina për të rritur prodhimin dhe kapacitetet prodhuese të kompanive kosovare, duke mos harruar edhe programet e ndryshme për kompanitë kosovare për të certifikuar standardet ndërkombëtare të cilësisë si dhe këshillëdhënie”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq sa i përket rënies së investimeve të huaja në Kosovë gjatë vitit të kaluar, Mustafa ka thënë se në këtë drejtim situata politike ka ndikuar që mos të joshim investitorë të huaj.

Mustafa ka folur edhe për Pakon e re Fiskale, e cila sipas tij do të ndikojë në përmirësim të ambientit biznesor në vend. Sipas tij, Pakoja Fiskale 2.0 është duke u përgatitur nga kërkesat e bizneseve.