Rajon & Botë

Siri, Assad: Do vazhdoj të jem president deri në vitin 2021

Në një intervistë për gazetarët amerikanë dhe britanikë nga Damasku, presidenti Bashar Al Assad ka thënë se do jetë në drejtim të Sirisë deri në vitin 2021. Ai ka theksuar se ushtria e tij do të rimarrë përsëri kontrollin e vendit.
“Do të qëndroj në detyrë deri në vitin 2021, kur do të skadojë mandati im i tretë”. Këtë e ka konfirmuar presidenti Sirian, Bashar Al Assad në një intervistë me gazetën Nju Jork Tajms dhe gazetarë të tjerë amerikanë dhe britanikë në Damask. Assad ka përjashtuar ndryshimet politike edhe nëse ushtria e tij nuk fiton luftën. Ai nënvizon se fasada sociale e vendit të tij, ku gjysma e popullsisë është detyruar që të largohet dhe qindra mijëra të tjera janë vrarë ose burgosur, ishte më e mirë përpara luftës.
Assad ka mohuar çdo përgjegjësi në lidhje me luftën që ka shkatërruar Sirinë duke akuzuar vetëm Shtetet e Bashkuara dhe ISIS dhe jo qeverinë e tij ose forcat e sigurisë. Presidenti, shkruan Nju Jork Tajms, shprehet me bindje se forcat qeveritare do të rimarrin përsëri kontrollin e vendit edhe pse pavarësisht mbështetjes së forcave ajrore Ruse, kanë arritur vetëm që të zhvendosin rebelët nga gjysma e Aleppos.
“Kam vetëm një titull, presidenti i keq. Djali i keq i cili vret të mirët”, ka thënë Assad për gazetarët, të cilët i ka pritur në pallatin e tij. “E njihni këtë fjali. Arsyeja e vetme është rrëzimi i qeverisë. Kjo qeveri nuk plotëson kriteret e Shteteve të Bashkuara”, theksoi ai në fund.
Ndërkohë, vazhdojnë përleshjet e përgjakshme mes rebelëve dhe forcave pro-qeveritare në qytetin Aleppo në Siri. Sipas raportimeve të fundit, bombardimet e rebelëve kanë shkaktuar disa viktima tek civilët. Ndërkohë, më herët Moska ka denoncuar se opozitarët kanë lëshuar në Aleppo, bomba me substanca toksike.