Ky është versioni i Policisë së Kosovës se si ndodhi sulmi kundër Ministrit të Punëve ët Brendshme, Skëndër Hyseni nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik dhe qytetarëve, përmes kësaj komunikate zyrtare bën të ditura informacionet e sulmit ndaj veturës Audi A6 me targa lokale, në të cilën gjendej ministri i Punëve të Brendshme z. Skender Hyseni, si dhe veprimet ligjore që ndërmerr me rastin e hyrje/daljeve dhe qëndrimit/dëbimit të shtetasve të huaj në/nga Republika e Kosovës.
Policia e Kosovës rreth orës 10:23 ka pranuar informacion se sot (22.07.2016) në rrugën “Agim Ramadani” prapa objektit të Komunës së Prishtinës, nga persona të dyshuar është sulmuar/gjuajtur me shishe me ngjyra të ndryshme vetura në të cilën gjendej ministri i Punëve të Brendshme.
Si pasojë e gjuajtjeve me ngjyrë ndaj veturës e cila ishte në lëvizje, personat e dyshuar ia kanë rrezikuar jetën drejtpërdrejt ministrit Hyseni si dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik, pasi që nga pamundësia e pamjes për të drejtuar automjetin nga ngjyra e hedhur në parafrango, vetura në fjalë është aksidentuar me dy vetura civile, të cilat gjendeshin në atë lokacion.
Lidhur me rastin ‘sulm ndaj personit zyrtar, dëmtim apo asgjësim i pronës së luajtshme’ të gjitha njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore për hetimin dhe trajtimin e rastit në tërësi, duke përfshirë edhe hetimin ndaj personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast”, shkruan në komunikatën e Policisë.