Rasti i vdekjes së Astrit Deharit gjatë kohës kur po qëndronte në paraburgim pati tronditur opinionin. Pak kohë pasi që lajmi u bë publik, në media u shfaqën edhe pamje të asaj se çka kishte ndodhur atë pasdite në burgun e Prizrenit. Ato dolën në media ende pa u analizuar nga Agjencioni i Forenzikës, e as pa u parë nga prokuroria. Për publikimin e atij video incizimi, familja Dehari ngriti kallëzim penal, por, edhe pse kanë kaluar tashmë dy vite, nuk dihet se kush ishte burimi i rrjedhjes së videos. Por, ndryshe ndodhi te rasti i djalit të Shpend Maxhunit. Organet e sigurisë u mobilizuan ndryshe kur doli informacioni se djali i shefit të AKI’së, Shpend Maxhunit u kap me armë e drogë. Në afat rekord nisën të hetohen 4 policë për rrjedhje të informacionit në media.
Vdekja e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit në burgun e Prizrenit mund të konsiderohet si më enigmatikja që ka ndodhur viteve të fundit. Atë 5 nëntor të 2016-tës opinioni ngriti të dyshime të mëdha mbi atë se çka dhe si kishte ndodhur rasti.
Pak ditë më pas në media u publikuan edhe pamjet e para. Nga kamerat e sigurisë së Qendrës së Paraburgimit në Prizren shihej qartë Dehari në minutat e fundit të jetës. Pamjet që u konsideruan si shumë prekëse qenë provë e parë e institucioneve të sigurisë.
Mirëpo, të njëjtat pa rënë në duar të personave përgjegjës u panë fillimisht nga mediat e pastaj nga opinioni. Duke parë parregullsi, avokati mbrojtës i familjes Dehari ngriti kallëzim penal duke u bazuar në deklaratën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxhës që tha se prokuroria nuk dispononte raportin e analizës së video incizimeve ditën kur u publikuan, që rrjedhimisht do të thotë se dikush nga Policia e Hetuesisë Regjionale në Prizren i dha në posedim mediave para organeve kompetente.
Kallëzim penal u ngrit kundër Personave përgjegjës të Drejtorisë Regjionale të Policisë së Kosovës në Prizren, Personave përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme- Agjencioni i Kosovës për Forenzikë dhe të gjithë personave përgjegjës që identifikohen gjatë hetimeve nga Prokurori kompetent.
Në një prononcim për Gazetën Express, Avokati Tomë Gashi tha se është shqetësuese se si askush nuk ka marrë përgjegjësi.
“Përgjegjësit i kanë dhënë mediave informacione konfidenciale- pamjet nga Kamerat e sigurisë nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, e për të cilat informata janë vënë në dijeni (i kanë poseduar) gjatë ushtrimit të profesionit të pjesëtarit të policisë së Kosovës apo të pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme apo të pjesëtarit të Agjencionit të Kosovës për Forenzikë. Po ashtu të paraqiturit kanë mundur të manipulojnë me prova gjatë hetimeve për shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit, dhe kanë zbuluar fshehtësi zyrtare, duke i pajisur (dhënë) mediat me video incizime nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, e kështu duke e keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare në kuadër të Policisë së Kosovës apo Ministrisë së Punëve të Brendshme-Agjencionit të Kosovës për Forenzikë”, thuhet në kallëzim penal, duke u qartësuar se nuk ka të bëjë me personat apo gazetarët e mediumeve që kanë publikuar pamjet.
Përderisa nga ky kallëzim penal nuk ka asgjë të re, te organet e sigurisë pati një mobilizim tjetër kur doli informacioni se djali i shefit të AKI’së, Shpend Maxhunit u kap me armë e drogë.
Natën e 12 tetorit, Shpëtim Maxhuni u ndalua në fshatin Zllatar të Prishtinës. Në makinën me të cilën po udhëtonte ai së bashku me dy persona tjerë gjatë bastisjes u konfiskua një revole e tipit Zastava me katër fishekë.
Detaje të tjera tregojnë për konfiskimin e materialeve të dyshimta si narkotikë dhe mjete që përdoren për të përpunuar marihuanën para konsumimit.
Një mulli për bluarjen e drogës, një thikë dhe një cigare e dyshuar për marihuanë ishin konfiskuar atë natë.
Përderisa për djalin e Maxhunit policia ngriti kallëzim penal, vëmendje më të veçantë i kushtoi pjesës së nga rrodhi informacioni deri në dorën e mediave.
Rrjedhimisht të dyshuar janë katër zyrtarë policorë që po hetohen nga Inspektorati Policor i Kosovës për shkak të dyshimeve se u kanë dhënë gazetarëve informata në lidhje me përfshirjen e djalit të shefit të AKI-së, në këtë rast.
Provat që IPK po tenton t’i mbledhë janë se cilët policë kanë shikuar në sistemin e të dhënave në këtë rast.
Siç është marrë vesh deri më tani, atyre policëve iu janë konfiskuar telefonat dhe nga IPK po synohet të kuptohet se cili nga ta është futur në sistem për të kontrolluar historinë.
Siç ka raportuar Express, edhe pse janë bërë gati një muaj për rastin Maxhuni nuk ka asgjë të re, e prokuroria u deklarua se hetimet janë duke vazhduar./Express/