Nëse dëshironi ta shisni veturën tuaj, ndiqni hapat në vazhdim për ta rritur vlerën e saj.
Shitja e veturës është një problem i madh duke qene se shumica e personave qe shesin një veture nuk kanë përvojë në shitblerje. Duke pasur parasysh këtë fakt, GazetaExpress ka përgatitur gjashta hapa të cilët duhet ti ndiqni për ta rritur vlerën e veturës tuaj.
1. Vlerësoni çmimin e veturës tuaj
Para se të vlerësoni çmimin e veturës tuaj, bëni hulumtime në internet për çmimin e veturave të ngjashme me atë tuajën sipas vitit, madhësisë së motorit si dhe opsioneve tjera të cilat e dallojnë veturën tuaj.
2. Rregulloni dokumentet
Një veturë e servisuar me rregull është një faktor përcaktues për çmimin e veturës. Andaj, gjeni sa më shumë libra servisi, fatura dhe dokumente tjera të cilat dëshmojnë mirëmbajtjen e duhur për veturën tuaj.
3. Pastroni çdo milimetër
Përshtypja e parë për një veturë krijohet nga niveli i pastërtisë që ajo ka. Pastrojeni veturën tuaj në detaje duke eliminuar çdo aromë të pakëndshme të krijuar. Pastrimi i përgjithshëm i një veture mund tu kushtoj deri në 50€ por kjo do ti shtoj shumë vlerën veturës tuaj.
4. Bëni fotografi me rezolucion të lartë
Kur nxirrni njoftimin e shitjes së veturës në internet, janë fotografitë ato të cilat nxisin kureshtjen e një blerësi potencial. Andaj, bëni fotografi me rezolucion të lartë, kur vetura është e pastruar dhe mundohuni të kapni çdo detaj, qoftë edhe ndonjë gërvishtje apo dëmtim, kjo e rrit besueshmërinë e blerësit karshi jush.
5. Shkruani një njoftim të mirë me të gjitha detajet
Njoftimi i duhur për shitje është faktori kyc i cili përcakton suksesin e shitjes së veturës tuaj. Kur nxirrni një njoftim shkruani sa më shumë detaje për veturën tuaj, si përshkrimi i gjendjes së tanishme, numrin e pronarëve, servisimet dhe të gjitha detajet shtesë. Po ashtu, publikimi i çmimit të veturës ndihmon shumë në shitjen e veturës, shumë blerës shmangin veturat të cilat nuk kanë çmimin e publikuar, nuk kanë kohë të humbin me telefonata për të marr një çmim i cili mund të ishte aty paraprakisht.
6. Negocio çmimin
Para se të nxirrni veturën në shitje përcaktoni çmimin më të ulët me të cilin do ta shisni veturën. Natyrisht se ky çmim është vetëm në mendjen tuaj dhe çmimi të cilin ju publikoni duhet të jetë më i lartë. Cdo herë lejo blerësin të testoj veturën dhe pastaj negocioni për çmimin. Ju e njihni shumë mirë veturën tuaj dhe i dini përparësitë që ajo ka, andaj negocioni që ta mbani sa më të lartë çmimin por pa kaluar poshtë kufirit të çmimit më të ulët që i keni përcaktuar vetës.