Sulmi në zemër ndodh gjatë ndërprerjes së papritur të qarkullimit në gjak në arterien, e cila e ushqen një pjesë të muskulit në zemër. Qelizat nuk marrin oksigjen të mjaftueshëm dhe fillojnë të vdesin. Kjo ndërprerje në qarkullimin e gjakut, që paraqitet gjatë sulmit në zemër mund ta dëmtojë muskulin e zemrës përgjithmonë. Prandaj mësoni simptomat të cilat kanë të bëjnë me sulmin në zemër, para se të jetë vonë.
Simptomat a janë të njëjta te secili pacient?
Sulmi në zemër mund të ndodh në çdo kohë, derisa punoni, pushoni ose derisa lëvizni. Asnjë sulm në zemër nuk është i njëjtë. Shenjat dhe simptomat e para dallohen te secili pacient. Dikush që ka pasur sulm në zemër mund të ketë përsëri, por me simptoma të ndryshme. Ndonjëherë simptomat e sulmit në zemër nuk mund të njihen lehtë dhe i takojnë ndonjë gjendjeje tjetër si probleme me lukthin, lodhje ose dhimbje në muskujt.
Kush ka rrezik të lartë nga sulmi në zemër?
Faktorët e rrezikut për sulm në zemër janë:
Meshkujt mbi moshën 45 vjeçare dhe femrat mbi moshën 55 vjeçare kanë rrezik të rritur për sulm në zemër. Por me rrezik të rritur janë edhe njerëzit që pinë duhan, kanë presion të lartë të gjakut, vlera të larta të holesterolit, diabeti. Po ashtu nëse vëllezërit, motrat, prindërit ose gjyshet dhe gjyshet tuaj kanë pasur sulm në zemër, atëherë edhe ju keni rrezik të rritur që të fitoni sulm në zemër. Aktiviteti i pamjaftueshëm fizik dhe stresi janë pjesë nga rreziqet për paraqitjen e sulmit në zemër.
8 simptomat dhe shenjat e sulmit në zemër
1. Mundime në kraharor (i ashtuquajtur diskomfort i kraharorit) manifestime si dhimbje kraharori, presion, shtrëngim, peshë në kraharor. Mundimet ndjehen shpesh në pjesën e eshtrës së kraharorit dhe shpesh në regjion më të gjerë.
2. Ndjenjë e pakëndshme në pjesët tjera të trupit si dhimbje, shtrëngim në shpatulla, kurriz, shumë shpesh në krahun e majtë, por ndonjëherë edhe në të djathtin, pastaj në pjesën e sipërme të stomakut, në qafë dhe në nofullën e poshtme.
3. Frymëmarrje e vështirësuar, gjegjësisht ndjenjë e mungesës së ajrit
4. Mundim, gërditje, nevojë për vjellje
5. Dobësi e përgjithshme dhe lodhje
6. Djersitje me djersë të ftohta
7. Punë e shpejtuar e zemrës, por mund të paraqitet edhe e ngadalësuar ose punë e çrregullt e zemrës, gjegjësisht aritmi
8. Zakonisht presioni i gjakut është i ngritur, ndërsa më rrallë ai është i ulët, bile edhe nuk mund të matet.