Presidenti Hashim Thaci ka tentuar dje ta fut në kurth Lidhjen Demokratike të Kosovës me qëndrimin e Lutfi Hazirit për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi. Kur është pyetur rreth qëndrimit të kryetarit të Gjilanit Thaci ka përmendur faktin se Haziri është edhe nënkryetar i LDK’së.
Hashim Thaci i ka shpeshtuar konferencat për media. Ai po provon ti bëjë bashkë subjektet politike duke iu bërë thirrje që t’i rreshtohen prapa në dialogun Kosovë –Serbi. Rrugës, derisa po provob t’i bindë ato, ai po provon të ndërtojë kurthe sic ishte rasti dje me LDK’në.
Kur është pyetur rreth deklaratës së Lutfi Hazirit për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Thaci e ka përmendur faktin që Haziri përvec Kryetar i Gjilanit është edhe Nënkryetar i LDK’së dhe për pasojë ka thënë se qëndrimin e tij do ta analizojë seriozisht.
Me këtë rast, Presidenti e ka goditur edhe Kryeministrin Ramush Haradinaj i cili e ka hedhur poshtë këtë qëndrim të Hazirit duke e quajtur shakaxhi.
Ndryshe, zyrtari i LDK’së Avdullah Hoti, ditë më parë, është distancuar nga qëndrimi i Hazirit duke thënë se ky është qëndrim personal i tij e jo i partisë.