Premtimet e kryeministrit Isa Mustafa, për të punësuar 120 mijë qytetarë, duket se janë bërë vetëm sa për sy e faqe.
Asgjë nuk po ndryshon sa i përket mirëqenies së qytetarëve. Këta të fundit, po e kanë të vështirë të gjejnë punë, shkruan Indeksonline.
Kështu tregon raporti i publikuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sa i përket të dhënave të punësimit.
112 mijë e 179 qytetarë kanë figuruar si të papunë deri në fund të vitit 2015. Meshkujt duket të jenë ata të cilët prijnë me këtë shifër. 63 mijë e 219 është numri i meshkujve të papunësuar.
Ndryshe 48 mijë e 960 femra kanë mbetur në listën e të papunësuarve

68 mijë e 395 qytetarë, janë të regjistruar si të pakualifikuar. Ndërsa 21 mijë, kanë të kryer vetëm shkollën e mesme.
Përfundimi i studimeve në universitet, studentëve nuk u siguron një vend pune. Në bazë të këtij raporti 5 mijë qytetarë me shkollim universitar kanë mbetur pa punë.
“Numri i përgjithshëm i te papunëve te regjistruar si te “Pa kualifikuar” është 68.395 persona ose 61.0%, ndërsa te papunët e regjistruar me “sh.mesme” arrijnë shifrën prej 21.006 persona ose 18.7% si dhe me “universitet” me 5.052 ose 4.5%”, thuhet në raportin e publikuar nga MPMS.
Të papunët më të mëdhenjë u takojnë moshave nga 25-39.
“Papunësia e regjistruar sipas grup moshave me se shumti i referohet moshës prej 25-39 vjeçar me 48.1%, pastaj grup mosha 40-54 merr pjese me 33.6% ne papunësi te regjistruar. Grup mosha e te rinjve 15-24 dhe me te vjetërve 55-64 marrin pjese respektivisht me 9.5% dhe 8.8% e regjistrimeve”
Prishtina me më së shumti vende të lira të punës:
Kryeqyteti duket se prin me numër vendesh të lira të punës. Por vendet që kanë qenë të lira, nuk shihet se janë fort të pëlqyeshme.
Prishtinasit e papunë, mund të gjejnë vetën në punën prej zejtari, e shitës të dyqaneve.
“Vendet e lira të punës për periudhën raportuese kryesisht janë në profesionet elementare më 28.9%, pastaj zejtarët dhe punëtorët e ngjashëm me 19.5% dhe punëtorët e shërbimeve dhe punëtorët e shitjes dyqane dhe treg me 19.3%”, thuhet më tej në raport.
2 mijë e 449 vende të lira pune, kanë qenë vetëm në rajonin e Prishtinës. Menjëherë pas Prishtinës, është komuna e dytë më e madhe, ajo e Prizrenit me 1 mijë e 949 vende.
Në Pejë, kanë qenë 1 mijë e 622 vende të lira pune. E më së paku vende të lira, kanë mbetur në rajonin e Ferizajit, gjithsej 1 mijë e 18 vende pune.
Numrin më të madh të të papunëve, e përbëjnë teknikët, e profesionistët. Ndërsa numrin më të vogël, ligjëvënësit, zyrtarët e lartë dhe menaxheret.