Aktuale

Shumë aplikues në konkursin e Policisë së Kosovës

Konkursi për pranim në Policinë e Kosovës është hapur me datë 16 prill dhe do të jetë i hapur deri më 10 maj të këtij viti. I kontaktuar nga Indeksonline, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi ka thënë se interesimi vazhdon të jetë mjaft i madh dhe se numri i aplikuesve ndryshon nga çasti në çast.

“Konkursi vazhdon të jetë I hapur, interesim për të konkurruar është dhe vazhdon të jetë I dukshëm, numri i aplikacioneve ndryshon nga çasti në çast, pas 10 majit sigurisht do të kemi numrin e saktë të aplikuesve”, ka thënë shkurt Krasniqi.

Në konkursin i cili vazhdon të jetë mundësi e mirë për shumë qytetarë të Kosovës pritet që të aplikojnë edhe shumë pjesëtarë të komuniteteve në Kosovë, përfaqësuesit e të cilëve në fillim kishin reaguar për t’u bërë disa ndryshime në aplikim ose të kundërtën do të tërhiqeshin nga Qeveria e Kosovës.

Ndryshe ndër kushtet minimale për aplikim në Policinë e Kosovës janë të jetë shtetas i Kosovës, të jetë i moshës 18-30 vjeçar, të ketë të përfunduar shkollimin e mesëm, të jetë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale, të mos jetë I dënuar për ndonjë vepër penale. Të mos posedojë në vend të dukshëm tatuazh (fytyrë, qafë duar), të ketë integritet personal dhe vlera të larta etike.

Ndryshe sipas burimeve të Indeksonline, në stacionet e Policisë në Prishtinë ka mungesë të dukshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ku vetëm në atë të veriut dhe qendrës në mungesë janë afro 50 pjesëtarë./Indeksonline/