Aktuale

Shtyhet për 30 gusht gjykimi ndaj Ukë Rugovës

Është shtyrë shqyrtimi fillestar ndaj ish-deputetit të LDK-së, Ukë Rugova, ish-ministrit Astrit Haraqija dhe 18 personave të tjerë, të akuzuar për rastin me keqpërdorime të vizave italiane, raporton KTV-ja nga gjykata.

Katër persona kanë munguar në këtë seancë, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, çka e ka detyruar gjyqtarin që të shtyjë këtë seancë, meqenëse është e obliguar prania e të gjithë të pandehurve. “Unë mendoj që duhet ta shtyjmë për 5 ditë dhe brenda kësaj kohe të kuptojmë arsyet e mungesës së këtyre të pandehurve dhe të vazhdojmë më 30 gusht, e pastaj mund të vendosim a ka nevojë të veçohet lënda apo jo”, ka thënë gjyqtari Victor Pardal.

Rugova, Haraqija dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar, mashtrim dhe vepra të tjera penale që lidhen me hetimin e nisur vite më parë për shitje të vizave italiane.

Përveç Ukë Rugovës, në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi dhe Fadil Ahmeti.