Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të investoj 1 milion e 600 mijë euro në ndërtimin e stadiumit në Drenas.
Në kuadër të investimeve kapitale që kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës sportive, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Drenasit, qëllimi i të cilit është mbështetja financiare për “Ndërtimin e Stadiumit të futbollit në Drenas”, projekt me vlerë prej 1 milion e 900 mijë euro.
Në bazë të Memorandumit të nënshkruar, MKRS-ja investon mjete financiare në shumën prej 1 milion e 600 mijë euro, në tri faza, për vitin 2017 faza e parë e investimit kap vlerën e 200 mijë eurove, në vitin 2018 do të investohen 600 mijë euro dhe në fazën finale në vitin 2019, MKRS do të investojë 800 mijë euro në këtë projekt kapital.
Ndërsa, Komuna e Drenasit, merr përsipër të investojë vlerën prej 300 mijë euro, në secilën fazë do të investojë nga 100 mijë euro gjatë kësaj periudhe tre vjeçare.
Ministri Kujtim Shala tha se memorandumi i nënshkruar sot mes MKRS-së dhe Komunës së Drenasit, vjen në kuadër të planeve të MKRS-së për përmirësimin e infrastrukturës në vend dhe dëshmon përkushtimin e ministrisë për të investuar në sport.
Përmirësimi i infrastrukturës, mbetet prioritet i yni, pasi kjo ua mundëson sportistëve krijimin e hapësirave të standardizuara për stërvitje dhe zhvillim të garave dhe ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së sportit të Kosovës.

