Rajon & Botë

Shtetet e Bashkuara dënojnë vrasjen e dy personave nga ushtria e Venezuelës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dënuar dhunën e ushtruar nga ushtria e Venezuelës pas vrasjes së dy njerëzve dhe plagosjes së 15 të tjerëve në kufirin e këtij shteti me Brazilin.

Personat e vrarë dhe të plagosur po përpiqeshin ta mbajnë të hapur kufirin në mënyrë që të hyjnë ndihmat humanitare. “Shkelja e qartë e të drejtave të njeriut nga Muaduro dhe ata që po i zbatojnë urdhrat e tij nuk do të kalojë pa u ndëshkuar”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë kërkuar nga forcat e armatosura të Venezuelës që ta lejojnë hyrjen e ndihmave humanitare në mënyrë paqësore. Kjo kërkesë u shtrua vetëm një ditë para se përkrahësit e liderit të opozitës, Juan Guaido, ta sfidojnë autoritetin e Maduros përmes futjes së ndihmave ushqimore dhe mjekësore pa lejen e shtetit.

Mbrëmjen e kaluar, Guaido e shkeli ndalesën e qeverisë për të udhëtuar jashtë vendit duke marrë pjesë në një koncert që u organizua në Kolumbi për të mbledhur të holla për popullin e Venezuelës. Në këtë koncert këndoi edhe këngëtari i njohur, Luis Fonsi, i cili kishte fituar famë botërore me hitin “Despacito”.

Për shkak të situatës së jashtëzakonshme në Venezuelë, këshilltari amerikan për siguri kombëtare, John Bolton, ka njoftuar se e ka anuluar një vizitë të planifikuar në Korenë Jugore për ta përcjellë gjendjen në Venezuelë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli