Rajon & Botë

Shtëpia e Bardhë: Trump nuk i kërkoi besnikëri kreut të FBI për veten por për vendin

Shtëpia e Bardhë ka mohuar ekzistencën e ndonjë regjistrimi të bisedës mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe ish-kreut të FBI, James Comey Pavarësisht kësaj, senatorët demokratë kërkojnë nga Trump dorëzimin në Kongres të çdo regjistrimi që posedon për këtë ngjarje.

“Në darkën e janarit me drejtorin e FBI, James Comey, Donald Trump nuk i kërkoi besnikëri atij por vendit”. Kështu është shprehur zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, i cili mohoi ekzistencën e ndonjë regjistrimi të bisedës mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe ish-kreut të Byrosë Federale të Investigimit

Më tej, zëdhënësi tha se fjalët e Trump ndaj Comey nuk janë kërcënim.

Më herët kreu i Shtëpisë së Bardhë me anë të një mesazhi në twitter paralajmëroi: “James Comey duhet të shpresojë që mos të ketë regjistrim të bisedës sonë, përpara se të nisë të flasë me shtypin!”.

Ndërkohë, së fundmi ish-kreu i Byrosë ka refuzuar ftesën e Komisionit të Inteligjencës të Senatit për të dëshmuar në sajë të një sesioni me dyer të mbyllura për zhvillimet e fundit.

Nga ana tjetër, Adam Schiff, përfaqësuesi më i lartë i demokratëve, i ka kërkuar Trump që t’i dorëzojë Kongresit çdo regjistrim të bisedës së tij me James Comey.

Reagimi i Shtëpisë së Bardhë vjen pas shkrimit të Nju Jork Times në të cilin u dhanë detaje të reja për darken mes presidentit amerikan dhe ish-kreut të FBI.

Në shkrim gazeta thekson se Trump i kërkoi Comey besnikëri, por ky i fundit i premtoi vetëm ndershmëri.

Ndaj kjo dyshohet të jetë arsyeja e vërtetë pse lideri amerikan shkarkoi kreun e Byrosë Federale të Investigimit.