Mëngjesi i sotëm ka qenë i pafat për një familje nga Gjakova. Shtëpia ku ishin strehuar familja Gashi sot është bërë e tëra shkrumb e hi. Por për fat të mirë asnjë anëtar i kësaj familje nuk është lënduar.
E zonja e shtëpisë Elfije Gashi tha se derisa doli për të blerë bukë, shtëpia kishte filluar të digjej. Tashmë ajo së bashku me familje e kanë hallin se ku të strehohen pasi që shtëpia që tashmë është djegur është pronë e Brahim Fetajt.
“ Dola me ble bukë në mëngjes kur erdha këtu, ishte duke i shkuar flaka tërë shtëpisë. Fëmijët në gjumë, burri në gjumë, krejt në gjumë, krejt çka ka në shpi që janë kallë. Qe pesë vite që jemi këtu pa pare jemi, me bukë e me krejt na kanë ndihmu. Nuk e di sonte ku do të shkojnë me fjet”,tha Gashi
Pronari i shtëpsië së djegur i cili ua liroi shtëpinë Gashëve kritikon zjarrfikësit për vonesën e tyre në intervenim.
Brahim Fetaj tha se ofroi ndihmë për fëmijët që gjendeshin brenda derisa zjarrfikësit komandonin punën pa prekur asgjë.
“Mu me kanë lajmëruar në telefon. Muhamet Sejdiu me ka lajmëruar, tha është ka kallet shpija. Kam ardhur ky e ka nxjerr fëmijën e vet se sa për zjarrfikësit në zero ishim mbet. Edhe me ceva janë zagllavit, un vet i kom kap cevat dhe vetëm dy ose tre kanë qenë. Krejt me duar në xhepa, janë ardhur dhe komandoshin këtu . Me ndodh kjo tjetërkund, që është familja brenda, ajo familje shkon për këta zjarrfikës. Është ardhur kamioni i dytë me gjysmë i mbushur me ujë, 1 mijë litra nuk i ka pasur ujë brenda…. Krejt janë kallë,kjo familje nuk ka ku rrin”,tha Fetaj.
Por krejt ndryshe thotë komandanti I brigadës së zjarrfikësve Pashtrik Xërxa. Ai këmbëngul se zjarrfikësit kanë punuar shpejtë dhe kanë shpëtuar atë çka kanë mundur.
“Nuk është e vërtetë, kur kemi ardhur ka qenë e tëra në zjarr dhe ne kemi bërë të pamundurën. Jemi ardhur me gjashtë automjete me ato mundësitë tona…Inspektorët e vlerësojnë punën tonë, e kemi bërë të pamundurën. Është vërejtë vonë , askush nuk ka qenë në shtëpi, ne kemi qenë tek stadiumi, është vërejtur tymi lartë dhe ne kemi reaguar. Kur ka dal tymi lartë, ka qenë edhe llastra që nuk e lënë me depërtua ujin deri tek zjarri edhe këto kanë qenë pengesa që kanë ardhur deri këtu “,tha Xërxa
Komandant Xërxa më tej tha se kjo familje që sot e pati këtë fat të keq, ka mbetur pa strehë, pasi që ata jetojnë nga ndihmat sociale. /KP