Arsim & Kulturë

Shtatorja e Ukshin Hotit ngritet në Prizren

Me përurimin e shtatores së intelektualit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, kanë përfunduar aktivitetet tri ditore të organizuar në nderim të veprimtarit, i cili vazhdon të jetë i zhdukur nga forcat serbe.

Këto aktivitete tri ditore janë organizuar nga Universiteti “Ukshin Hoti”, në Prizren, ku edhe u mbajt një Akademi solemne. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e cilësoi Ukshin Hotin njëri nga personalitetet më të shquara të luftës për liri dhe pavarësi.

“Ukshin Hoti ishte dhe mbeti deri në fund veprimtar i pakompromis i lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës. Ai ishte ideologu, që me guximin e tij politik dhe mendimin e thellë intelektual frymëzonte këtë lëvizje. Ai ishte në kuptimin e plotë të fjalës filozofi i çështjes sonë kombëtare”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Veseli ka thënë se Kosova sot është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, por plagët e luftës ende nuk na janë shëruar.

“Janë plagë që na ka lënë Serbia në familjet tona, kemi shumë njerëz ende të pa gjetur dhe krahas tyre e kemi edhe këtë ikonë të lëvizjes tonë kombëtar ende të pagjetur, Ukshin Hotin. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë derisa të dihet e vërteta për Ukshin Hotin, derisa të zbardhet e vërteta dhe derisa nuk marrin përgjigjen e merituar të gjitha ata që e persekutuan dhe e dënuam”, ka thënë ai.

Kurse, djali i Ukshinit, Andin Hoti tha se edhe pse babai i tij nuk është me ne, ai na shikon duke e bërë republikën tonë sa më të mirë.

“Ky është 28 Nëntori më i veçantë për mua dhe familjen time jo vetëm për faktin që kjo shtatore ndjehet çdo qytetar, në mesin e studentëve por edhe për faktin që kjo shtatore vendoset në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve.. urojë që shtatorja të jetë frymëzim për ju profesor që pa kursyer asgjë të mbroni interesat e studentëve dhe të barteni dijen tek ata, ashtu si Ukshin Hoti ka bërë disa herë”, tha Hoti.

Rektori i Universitetit, Ramë Vataj deklaroi se Ukshini ishte emër i veçantë që reduktoi deri në skajshmëri numrin e të ngjashmëve.

“Pastërtia morale e veprimit shoqëror të profesor Ukshinit përcaktonte shkallën e angazhimit të sinqertë e të përkushtuar të të tjerëve rreth tij….ishte nxitës i vullneteve për të lëvizur, krijuar dhe ndihmuar, ishte shpalues i denjët i kulturës tonë për pavarësi dhe si paralajmërues i besueshëm i së ardhmes të cilën vet nuk e arriti”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja tha se veprimtaria e tij është një gurthemel i lirisë dhe pavarësisë që e gëzojmë së bashku.

“Luftëtarët e lirisë, profesorët, intelektualët dhe veprimtarët e çështjes kombëtare shqiptare me në krye Ukshin Hotin janë përballur me regjimin gjakatar serb që sot fëmijët e Kosovës, studentët në bankat e dijës të mësojnë dhe punojnë në shtetin e tyre të lirë dhe të pavarur “, tha ai.

Ai shtoi se veprimtarët dhe mendjendritur si Ukshin Hoti kanë lindur për të mos vdekur kurrë. Pas kësaj akademie është zbuluar shtatorja e Ukshin Hotit, e cila ka ardhur si iniciativë e studentëve./KosovaPress/