Përfaqësuesit e lagjeve të banuara me shqiptarë në veri të Mitrovicës, të cilët veprojnë në kuadër të organizatës ‘Këshilli i Veriut’, kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me arrestimin e drejtorit të Policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, që ka ndodhur ditë më parë në Serbi.
Ata gjatë një konference për media të mbajtur sot afër urës së Ibrit, kanë kërkuar nga institucionet vendore dhe faktori ndërkombëtar që të merren seriozisht me fatin e drejtorit të policisë.
Nazmi Ismajli, kryetar i “Këshillit të Veriut”, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm nga burgu të drejtorit Thaçi, për të cilin tha se po mbahet padrejtësisht.
“Në emër të Këshillit të Veriut’ kërkojmë lirimin e drejtorit regjional Nehat Thaçi, që po mbahet padrejtësisht në burg…. Njëherit kërkojmë dhe bëjmë thirrje institucioneve vendore që ai njeri të lirohet sa më shpejt nga burgu… Jemi të vetëdijshëm që ai ka qenë drejtor i jugut, por ai njeri sa ka qenë përpara drejtor i tërë regjionit, ka dhënë kontribut të suksesshëm edhe në veri”, ka thënë Ismajli.
Edhe Vehbi Beqiri, përfaqësues i ‘Lagjes së boshnjakëve’, ka kërkuar lirimin e pakusht të Thaçit.
Ai ka apeluar tek kryenegociatorja Edita Tahiri që të merret më seriozisht me këtë rast, në të kundërtën të jap dorëheqje.
Sipas tij, dorëheqje ishte dashur të japin edhe ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni, si dhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Shpend Maxhuni.
“Ne Këshilli i Veriut kërkojmë lirim të pakusht të drejtorit të policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi, i cili është kidnapuar nga forcat fashiste të Serbisë dhe po mbahet padrejtësisht në kazamatet serbe…E ftojmë Edita Tahirin që të merret seriozisht me lirimin e tij ndryshe le të jap dorëheqje. Dorëheqje ishte dashur me dhënë edhe Shpend Maxhuni, Skënder Hyseni…Ne qytetarët e veriut habitemi me neglizhencën e komandantëve në jug dhe gjithandej, qysh nuk marrin iniciativë që të paktën të dalin në protestë…”, tha Beqiri.
Në qytetin e Mitrovicës pati protesta edhe gjatë ditëve të kaluara, me ç’rast punëtorët e Administratës komunale, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, patën kërkuar lirimin e Nehat Thaçit.
Ndryshe, eprori i lartë i Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, u arrestua më 27 shtator në hyrje të Serbisë nga pika kufitare “Dheu i Bardhë”, pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata e Lartë në Nish të Serbisë, nën akuza për terrorizëm.