Aktuale

Shqiptarët do të marshojnë për djalin 7 vjeçar të vrarë në Bazel

Zvicra u trondit nga vdekja e djaloshit 7-vjeçar në Bazel, i cili ka prejardhje nga Kosova. Një gjë e tillë ka tronditur të gjithë opinionin zviceran.

Për t’u solidarizuar me familjen, shqiptarët në Zvicër do të organizojnë një marsh protestues.

Organizatori Emi Sallahi ka njoftuar për detajet, duke treguar marshi do të mbahet nesër nga ora 14:00.

“Do të nisemi nga Shkolla e djaloshit e deri tek vendi i ngjarjes. Do të ndezim qirinj dhe do të vëmë lule në vendin ku ka ndodhur kjo ngjarje që ka tronditur të gjithë Zvicrën”, ka thënë ai.

Ai tha se tashmë kanë marrë edhe lejen nga Policia.

“Ne kemi hapur edhe një faqe në ‘Facebook’ dhe të gjithë të interesuarit mund të na bashkëngjiten. Nuk kemi ndonjë organizatë apo shoqatë, por thjesht jam i shokuar me atë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë Sallahi për mediat lokale.

Kujtojmë se e gjithë Zvicra është shokuar nga ky rast. I prekur dhe i tronditur nga ngjarja, Emi Sallahi që jeton në Zvicër ka ndërmarrë këtë iniciativë për marsh.

“Ky marsh është shenjë solidariteti me familjen. Vërtetë jemi të shokuar. Kur kemi dëgjuar nuk kemi mundur të besojmë. Edhe pse në fillim nuk dihej kombësia, është gjëja më e tmerrshme çka mund t’i ndodhë një prindi”, ka thënë tutje Emi Sallahi.

Deri më tani nuk ka kontaktuar me asnjë shoqatë shqiptare në Zvicër në lidhje me organizimin, derisa shpreson se do të ketë sa më shumë njerëz në këtë marshim simbolik.

the authorBurbuqe Metolli