Ministria e Shëndetësisë tha se vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv dhe situata paraqitet shumë serioze.
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një vajzë e re 21 vjeçare, e cila ndodhej në terapi intensive e intubuar, si pasojë e simptomave të rënda të Covid19. Gjendja e saj u rendua në mënyrë të menjëherëshme si pasojë e tromboembolisë fulminante dhe pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, e reja që vuante nga sindromi metabolik, nuk ka arritur të mbijetojë.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit e kanë humbur betejën me sëmundjen edhe një qytetare 49 vjeçare nga Kruja, e intubuar në gjendje të rëndë prej 11 ditësh dhe dy qytetarë, 56 dhe 67 vjeç, nga Tirana të intubuar, të cilët nuk e kanë fituar dot betejen me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e mëdha qe po bën stafi mjekësor.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore./Top Channel/