Të ardhurat e realizuara në buxhetin e shtetit nga tatimi mbi fitimin, gjatë 5 muajve të parë të vitit 2017 rezultuan rreth 775 milionë lekë më të larta, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Sipas treguesve fiskal të buxhetit, publikuar nga Ministria e Financave, gjatë periudhës janar-maj 2017, në buxhet u arkëtuan 15.326 milionë lekë nga tatimi mbi fitimin, derisa në të njëjtën periudhë të vitit 2016 u mblodhën 14.551 milionë lekë.
Gjatë gjithë vitit 2017 qeveria planifikon të mbledhë nga tatimi mbi fitimin 29.200 milionë lekë të ardhura në buxhet.
Të gjitha kompanitë që janë të regjistruara në regjistrin tregtar dhe paguajnë TVSH, janë subjekt i tatimit mbi fitimin.
Tatimpaguesit rezidentë i nënshtrohen tatimit vetëm për të ardhurat e gjeneruara në territorin e Republikës së Shqipërisë.