Ekonomi

Shqipëri, eksporti i produkteve bujqësore drejt BE-së me certifikata elektronike

Një sistem i ri i certifikimit elektronik për të monitoruar më mirë importet e produkteve organike do të hyjë në zbatimin në Bashkimin Evropian duke filluar nga e mërkura, njofton Komisioni Evropian për Agrikulturën dhe Zhvillimin Rural i Shqipërisë.

Sistemi do të kontribuojë në rritjen e masave mbrojtëse për ushqimin, si dhe do të reduktojë mashtrimet e mundshme. Ai gjithashtu do të ulë barrën administrative për operatorët dhe autoritetet, si dhe do të ofrojë më tepër të dhëna statistikore për importet organike.

Gjatë një periudhe tranzitore 6-mujore do të pranohet edhe certifikatat elektronike dhe në letër, ndërsa nga 19 tetori 2017, importet organike do të mbulohen vetëm nga certifikimi elektronik.

Bujqësia organike në Shqipëri funksionon prej mbi një dekadë, duke u bërë një sektor me rëndësi të veçantë për ekonominë dhe eksportet bujqësore shqiptare. Sipërfaqja totale e certifikuar në Shqipëri, sipas ligjit dhe rregulloreve kombëtare e ndërkombëtare të prodhimit organik është 88579, 71 ha, ose 4,09 % e sipërfaqes totale të tokës bujqësore, pyjeve dhe kullotave.

Në këtë sipërfaqe, 99% i zënë produktet që vijnë nga mbledhja spontane, si bimët mjekësore dhe aromatike, kërpudhat e pyllit, gështenjat e egra dhe lajthitë.

Ndër produktet që vijnë nga kultivimi, mund të renditim si më të rëndësishëm, ullirin, kryesisht për prodhim vaji, vreshtat për tavolinë dhe verë, perimet dhe frutat. Madhësia e fermave organike arrin ne 2,24 ha.

Mbi 99% e produkteve që vijnë nga mbledhja spontane eksportohen në SHBA, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Lihtenshtajni, Austri, Itali dhe vende të tjera. Megjithatë edhe tregu lokal për produkte organike është duke u zgjeruar.