Ministri i Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës, Mahir Yagcilar, pjesëtar i komunitetit turk, e ka dënuar sulmin që sot disa persona e kryen me koktej molotovi në Konsullatën Turke në Prizren. Madje sipas Ministrit turk në Kosovë edhe vet Ambasada turke është e shqetësuar mbi sulmin që sot iu bë konsullatës në Prizren.
Në një prononcim për Gazetën Express, Yagcilar, theksoi se akte të tilla mund të ndikojnë në marrëdhëniet në mes të Kosovës e Turqisë.
“Ne sot kemi kontaktuar me zyrtarë të Ambasadës Turke në Kosovë. Ata janë të shqetësuar dhe indinjuar me këtë rast. Ata po besojnë që ky rast është i izoluar. Këto raste nëse nuk ndalohen në të ardhmen mund të krijojnë probleme të tjera”, ka thënë për Express, Yagcilar.
Ai theksoi se Kosova është shtet i të gjithëve përfshirë këtu edhe pakicat që i përbëjnë edhe komuniteti turk.
“Kosova është shtet i të gjithëve. Bashkë e ndërtuam këtë shtet dhe dëshirojmë që dhe ma tutje ta zhvillojmë. Ne si shqiptarë e dënojmë këtë akt sepse është sulm ndaj etnitetit. Nga aspekti tjetër ky sulm mund të krijoj ose përkeqësoj marrëdhëniet e Kosovës me Republikën e Turqisë”, ka thënë Yagcilar.
Ndërkohë që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren sot gjatë ditës ka deklaruar se lidhur me këtë rast pesë persona janë ndaluar nga ana e prokurorisë si të dyshuar për hedhjen e koktej mollotovit në drejtim të Konsullatës turke në qytetin e Prizrenit.
Njësitet e forenzikës kriminalistike të Policisë së Kosovës kanë bërë ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes duke u bazuar në dëshmi dhe video incizime relevante për procedim sa më profesional të rastit, zbulimin e tij dhe identifikimin e kryesve të përfshirë. Në vendin e ngjarjes si dëshmi janë sekuestruar: Një shishe qelqi e tymosur e pa thyer, ngjyrë kafeje si dhe disa copëza qelqi të thyera në vend të ngjarjes.
E për rastin ka reaguar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi si dhe zyra e Qeverisë së Kosovës. Të dy këto institucione e kanë dënuar sulmin./GazetaExpress/