Dy persona rezultojnë të zhdukur dhe shtatëmbëdhjetë të tjerë të plagosur gjatë shpërthimit në një fabrikë baruti në Makolno, në jugperëndim të Polonisë, njoftoi një zëdhënës i forcave zjarrfikëse.
”Shpërthimi u shënua rreth orës 10:00 duke shkaktuar shembjen e godinës së prodhimit të barutit ku kanë nisur operacionet për gjetjen e dy personave”, sipas Jozef Koszalka, cituar nga agjencia e lajmeve PAP.
Referuar forcave zjarrfikëse, 17 persona të tjerë kanë marrë plagë të lehta.
Tre janë shtruar në spital.
Zjarrfikësit po vijojnë kontrollet nën rrënoja me ndihmën e qenve të shpëtimit.
Pas shpërthimit, ku ende shkaku mbetet i paqartë, një re e madhe tymi ishte e dukshme në një rreze të gjatë rreth pesëmbëdhjetë kilometra.
Në disa shtëpi pranë uzinës ku u regjistrua shpërthimi u konstatuan xhama të thyer.