Pavarësisht faktit që shtetet e QUINT-it kanë kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të dialogut dhe heqjen e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe, asnjëra prej partive politike nuk është deklaruar pro heqjes së tarifës. Përkundrazi, përfaqësues të subjekteve politike rëndësi të veçantë u kanë kushtuar zgjedhjeve të parakohshme, pas të cilave duhet të rinisë dialogu.
Në fillim të kësaj jave shtetet e QUINT-it kërkuan rifillimin e menjëhershëm të procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë.
Thirrja e pesë shteteve të QUINT-it për rinisje të procesit të negociatave erdhi në kohën kur në Kosovë pritet të vijë një qeveri e re, qoftë përmes një procesi të ri elektoral, qoftë pa shkuar fare në zgjedhje.
Por ndonëse ekziston edhe ky opsion, të cilin e lejon Kushtetuta, partitë politike kanë kërkuar që data e zgjedhjeve të parakohshme të caktohet menjëherë pas 22 gushtit, kur pritet të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit.
Teksa kanë komentuar thirrjen e QUINT-it për vazhdim të bisedimeve përfaqësues të partive politike kanë thënë se procesi i dialogut duhet të fillojë pas zgjedhjeve të reja, ndërkohë asnjë prej tyre nuk është deklaruar për heqje të taksës, ndonëse QUINT-i e ka kërkuar një gjë të tillë, shkruan gazeta Zëri.
Kurse përfaqësues të shoqërisë civile kanë konsideruar se pas rifillimit të procesit negociatat me Serbinë duhet të udhëhiqen nga Qeveria, gjegjësisht nga kryeministri i Kosovës.
Në katër takimet që janë mbajtur deri më tash në kuadër të etapës përmbyllëse të dialogut Kosova është përfaqësuar nga presidenti Hashim Thaçi. Takimi i fundit mes dy palëve është zhvilluar para nëntë muajsh, më 9 nëntor 2018.