Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se transporti i “Trafikut Urban” pritet të nisë në fazën e dytë të lehtësimit të masave, më 18 maj.
Ahmeti ka thënë se të gjithë operatorët janë të detyruar të marrin leje speciale nga Ministria e Shëndetësisë për të nisur qarkullimin.
“‘Trafiku Urban’, sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, fillon në fazën e dytë, më 18 maj, por duhet të kemi leje speciale nga Ministria për çdo operator. Sigurisht që do të jetë i kufizuar në aspektin e orarit, por jemi duke punuar për masat që të mos ketë tollovi”, ka thënë Ahmeti në emisionin “Drive Time” në “Radio Prishtina”.
Kreu i Komunës ka thënë se pas nisjes së qarkullimit të trafikut urban do të ketë numër të kufizuar të udhëtarëve nëpër autobusë, në mënyrë që të ruhet distanca.
“Do ta kufizojmë numrin e udhëtarëve në autobusë, do të jenë aq persona saqë distanca të jetë e mjaftueshme”, ka shtuar Ahmeti.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se nga e premtja do të nisë vendosja e pritoreve të reja të autobusëve nëpër Prishtinë, ku do të vendosen 120 të tilla.