Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Shpend Ahmeti, e ka mohuar mundësinë e përfshirjes së partisë së tij në një Qeveri e cila do të krijohej pa shkuar në zgjedhje, nëse do të prishej Qeveria aktuale.
“Po lexoj nëpër media se analistët po thonë se e parashikojnë prishjen e koalicionit, dhe qeveri të re (pa zgjedhje) me LDK dhe PSD. Përderisa për LDK-në nuk mund të flas, sa i përket PSD-së, mund të konfirmoj se nuk ka pas as edhe një takim apo diskutim për këtë gjë. Ne kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim mbështetje politike për taksën dhe jemi pjesë e delegacionit shtetëror për dialogun. I kemi thënë edhe LDK-së e VV-së, se nuk do ta ndihmojmë Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë për shkak të taksës. Tani i themi edhe PDK-së se me ndihmën tonë nuk do ta rrëzojnë e as kërcënojnë AAK-në – si presion ndaj Kryeministrit për ta larguar taksën”, ka thënë Ahmeti.
Kreu i PSD-së ka shtuar se do të vazhdojnë ta mbajnë të njëjtin qëndrim se për taksën duhet të merret vendim i përbashkët.
“Vazhdojmë të mbajmë qëndrimin që për taksën duhet të merret vendimi i përbashkët, ku edhe presionin edhe kritikat do t’i bartim bashkë. Taksa është e drejtë dhe është vendimi i parë pas të gjitha sulmeve që ka bërë Serbia ndaj nesh. Ne jemi të interesuar të dialogojmë me Serbinë sipas platformes që kemi aprovuar, por Qeveria ka të drejtë të merr vendime për ta mbrojtur interesin e shtetit tonë”, shtoi Ahmeti.
Kryetari i Prishtinës, me tutje ka thënë se dialogu është çështje nacionale, e jo individuale e dikujt.
“Dialogu me Serbinë është çështje tejet e rëndësishme për Republikën e Kosovës, si në aktualitet ashtu edhe në potencialitet. Prandaj, vendimet për të duhet të synojnë përherë koncensualitet dhe të përfshijnë të gjithë ata që janë të interesuar ta ndihmojnë Kosovën. Protagonizmi e personalizimi i këtij procesi as nuk është i mundshëm dhe do të ishte tejet i dëmshëm”, u shpreh Ahmeti. /FaktePlus