Në Kolegjin AAB, pos debatit me kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës, i cili ishte të premten e kaluar, sot u zhvillua debati edhe me kandidatin tjetër për të parin e kryeqytetit, kandidatin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti.
Në këtë përballje me studentët dhe profesorët e Kolegjit AAB, i cili u transmetua edhe në RTK, kryetari aktual i Prishtinës i cili synon një mandat të dytë në këtë pozitë, Shpend Ahmeti, shpalosi programin e tij për qeverisjen komunale për katër vitet e ardhshme, i cili quhet “Prishtina qytet në çdo lagje”, që përfshin 10 fusha prioritare me 100 zotime.
Ahmeti në këtë debat foli edhe për sukseset e qeverisjes së tij në mandatin e kaluar, ku tha se që nga atë kohë, në kryeqytet kanë sjellë një koncept të ri të llogaridhënies te qytetarët.
“Ne i kemi dhënë 12 zotime në vitin 2012 dhe u kemi thënë qytetarëve ‘mbani në xhepat e juaj sepse do të shihemi në vitin 2017 dhe do t’i diskutojmë një nga një’, dhe aty shkruan: Ujë 24 orë, dyfishimi i çerdheve, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, tregu i prodhimeve vendore, shujtat për fëmijë, autobusët e rinj. Këto janë të gjitha ato premtime që i kemi dhënë e që sot unë mund të them mund të dalim e të flasim bashkë me të gjithë dhe të themi se si i kemi realizuar këto”, tha ai.
Ahmeti në këtë debat foli edhe për Ligjin për Prishtinën, i cili e parasheh që kryeqyteti ta ketë policinë e vet.
“Me Ligjin për Prishtinën, Drejtoria Policore e Prishtinës do të krijohet brenda Policisë së Kosovës, ndërsa nga dy propozimet tona për komandant të policisë PK do të vendos për njërin nga ta. Policisë komunale ne i kemi ofruar edhe që ta financojmë me staf shtesë, po në të njëjten kohë që të kemi edhe përgjegjësi më shumë. Nuk dua që ata të merren me krime të rënda, por e kemi që të jenë në ndihmë të komunës, sepse 40 policë të trafikut në dy ndërrime në Prishtinë, nuk mjaftojnë”, tha Ahmeti.
I pyetur se çka do t’u ofrojë Shpend Ahmeti studentëve në mandatin e tij të ardhshëm, ai u përgjigj duke thënë se për studentët do të aplikojë lirime në transportin publik, lehtësira në vështirësitë që i kanë, programe të banimit ku mendojnë t’i kontrollojnë çmimet e qirave që të mos jenë aq të larta.
Ahmeti foli në këtë debat edhe për ndonjë koalicion të mundshëm me parti të tjera.
“Me 22 tetor ka përfunduar një periudhë shumë e vështirë për komunën e Prishtinës dhe tashmë mundësitë janë shumë më të lehta. Ne kemi pasur bashkëpunim me AAK-në dhe AKR-në. E kam thënë publikisht që synimi i jonë është që të kemi marrëveshje qoftë para zgjedhje, qoftë pas zgjedhjeve. Para zgjedhjeve edhe më mirë, por edhe pas zgjedhjeve do të ishte prapë mirë. Me AAK-në, AKR-në, Lëvizjen për Bashkim, Nismën dhe eventualisht Alternativën, kjo na bën neve me 30 këshilltarë komunalë, me një qeverisje stabile, ku nuk do ta kishim më problemin e Kuvendit Komunal”, theksoi kandidati për kryetar të Prishtinës Shpend Ahmeti.
Në këtë debat pati edhe shumë pyetje të tjera të studentëve dhe të profesorëve të Kolegjit AAB, të cilat prekën pika të ndryshme të problemeve me të cilat përballet qytetari në kryeqytet, e të cilave iu përgjigj kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Krejt në fund, Shpend Ahmeti, u premtoi studentëve të AAB-së se do të pranojë edhe një debat ballë për ballë me kundërkandidatin e tij Arban Abrashin në Kolegjin AAB.