Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka kujtuar Enver Hadrin,i cili u vra në Belgjikë para 26 vitesh, ku përgjegjësit e kësaj vrasje u dënuan me burg të përjetshëm.
“Në vitin 1990 në Bruksel me një plumb në kokë vritet aktivisti i drejtave të njeriut, Enver Hadri. Hadri ishte shumë i respektuar edhe në qarqet ndërkombëtare”, shkruan Ahmeti në Facebook.
Ahmeti shkruan se që atëherë dihej që vrasja është kryer nga shërbimet serbe/jugosllave.
“Por, këto ditë gjykata e Belgjikës më në fund shpalli fajtor dhe dënoi vrasësit. Kriminelë të nëntokës ishin angazhuar nga Sigurimi Shtetëror serb për ta vrarë Hadrin”, ka shkruar tutje Ahmeti,
Sipas tij, vrasja e Hadrit konsiderohet gabimi më i madh i DB-së sepse Hadri ishte edhe i njohur edhe i “mbrojtur” nga struktura shtetërore belge. Disa nga vrasësit e Hadrit janë vrarë menjëherë nga vetë porositësit e vrasjes së Hadrit e disa janë në ikje. Ndërsa porositësi i këtij krimi Veselin Vukotic i DB është në penzion në Beograd.
“Janë dashur 26 vite por drejtësia është vënë në vend. Më shumë se dënimi i dorasve, me rëndësi ka qenë zbardhja e rastit, e që shpresojmë do të zbardh edhe më shumë strukturat kriminale shtetërore të asaj kohe, e mbetjet e të cilit janë edhe sot prezente gjithandej”, ka përfunduar Ahmeti./KosovaPress/