Aktuale

Shpend Ahmeti kontrollon a po i respektojnë masat lokalet në kryeqytet

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar se bashkë me inspektorët dhe policinë kanë kontrolluar lokalet në kryeqytet për të parë nëse janë duke e respektuar vendimin që të mos shërbejnë nëpër tavolina, por vetëm në formën “merre me vete”

Ahmeti ka shkruar në Facebook se pronarët, menaxherët e punëtorët e lokaleve janë të vetëdijshëm se sa më të kujdesshëm tregohen tash, aq më herët mund të kthehemi në normalitet.

“Gastronomia, është një nga sektorët më të dëmtuar gjatë kohës së pandemisë. Në këtë fazë të dytë të lehtësimit të masave, kanë të drejtë të shërbejnë “merre me vete”, por jo edhe të shërbejnë nëpër tavolina”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ahmeti ka theksuar se bashkë me policinë dhe inspektorët kanë kontrolluar lokalet për të parë nëse po respektohen rregullat.

“Së bashku me inspektorët tanë dhe Policinë e Kosovës kontrolluam lokalet, për të parë nëse po iu përmbahen vendimeve dhe urdhëresave të institucioneve. Pastërti, masa mbrojtëse, distancë mes njerëzve që presin”, ka theksuar kreu i Prishtinës.

 

the authorGazetaKNN