Aktuale

Shpend Ahmeti i reagon Isa Mustafës pas deklaratave për vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i është përgjigjur akuzave të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për zgjedhjet në Prishtinë.

Mustafa ka reaguar sot pas vendimit të Kushtetueses për të hedhur poshtë një kërkesë të ish-kandidatit të LDK’së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, nëpërmjet së cilës ai synonte rrëzimin e Ahmetit nga posti i kreut të Komunës.

Mustafa ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese se i shërbeu Qeverisë për t’ia larë një borxh Ahmetit.

“Të shtunën, Shpend Ahmeti e shpëtoi Qeverinë, të hënën Gjykata Kushtetuese e shpëtoi Shpend Ametin. E mira kthehet me të mire!”, është shprehur ai, duke iu referuar mbështetjes që Partia Socialdemokrate e Ahmetit dha në Kuvendin e Kosovës për buxhetin e sivjetmë të shtetit.

Por, Ahmeti ka reaguar menjëherë ndaj deklaratave të Mustafës, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.

Ahmeti ka akuzuar Mustafën për mashtrim të opinionit.

“Isa Mustafa ka deklaruar sot se ka humbur besimin në Gjykatën Kushtetuese e cila Njëzëri ka vendosur kundër kërkesës së paarsyeshme të LDK për zgjedhjet në Prishtinë”, është shprehur ai.

“Poashtu akademiku i nderuar paska mashtruar opinionin duke thënë se pas Kuvendit të shtunën, Gjykata ka vendosur sot kundër Abrashit. Ne e dijmë që Isa Mustafa plot një vit ju ka thënë simpatizantëve se Gjykata do të na “rrëzojë “, por me 23 janar asaj gënjeshtre i ka ardh fundi”, ka thënë Ahmeti.

the authorBurbuqe Metolli