Rajon & Botë

Shpallet orë policore në qytetin e katërt më të populluar në SHBA

Qyteti amerikan Hjuston ka shpallur orë policore gjatë kohës së natës teksa lufton me pasojat e uraganit “Harvey”.

Si pasojë e uraganit janë regjistruar shira rekorde, duke i lënë pjesë të mëdha të qytetit nën ujë, duke i shkatërruar shumë shtëpi dhe mbi 20 persona të vdekur, transmeton Express.

Kryetari i Hjustonit, Sylvester Turner, ka thënë se ora policore është e nevojshme për t’i parandaluar krimet e plaçkitjes në qytetin e katërt më të populluar në SHBA.

Presidenti Donald Trump e vizitoi Teksasin dje për t’i vlerësuar dëmet e shkaktuara nga “Harvey”, duke e quajtur “epike” stuhinë.

Ora policore do të aplikohet nga ora 00:00 deri në 05:00 sipas kohës lokale për një periudhë të papërcaktuar. Vullnetarët, ekipet e shpëtimit dhe personat që shkojnë në punë përjashtohen nga ora policore.

Turner ka thënë se ora policore do të ndihmojë në parandalimin e vjedhjeve në shtëpitë e evakuuara dhe se është vendosur vetëm për t’i parandaluar aktet e mundshme të krimit. /Express/