Aktuale

Shpallet aktgjykimi kundër tre të akuzuarve

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka shpallur publikisht aktgjykimin kundër të akuzuarve E.H, H.V dhe A.R, të cilët në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale mashtrim.

I akuzuari E.H. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një vit, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër penale në periudhën prej dy viteve.

I akuzuari H.V. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muaj, ndërsa i akuzuari A.R. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë muaj.

Të akuzuarve H.V. dhe A.R., dënimi me burgim i zëvendësohet me dënim me gjobë në lartësi prej 10.000 euro, të cilin dënim të akuzuarit janë të obliguar që ta paguajnë në afatin prej 60 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Nëse të pandehurit nuk e paguajnë dënimin në afatin e caktuar nga gjykata do të mbetet në fuqi dënimi me burgim.

Tre të akuzuarit obligohen që të dëmtuarës Universiteti i Prishtinës t’ia kompensojnë dëmin në mënyrë solidare në shumë prej 70.131,27 euro, në afatin prej 90 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.