Grupi i shoqërisë civile sërish ka protestuar duke kërkuar zbardhjen e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari, dorëheqjen e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mos trajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij.
Protesta u mbajt para Kuvendit të Kosovës, në kohën kur po mbahej seanca parlamentare për rastin e vdekjes së Deharit.
Përfaqësuesi i këtij grupi të shoqërisë civile, Yll Rugova, tha se ka javë prej kur është dorëzuar peticioni me 24 mijë nënshkrime nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe se refuzimi nga Kuvendi i Kosovës në baza burokratike është ofendim për qytetarët e Kosovës.
“Kanë kaluar javë prej kur peticioni i nënshkruar prej 24 mijë qytetarëve të Republikës së Kosovës nënshkrime këto që janë mbledhur për vetëm dy ditë i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, çfarë ka bërë Kuvendi i Kosovës, e kanë refuzuar në baza burokratike. Kadri Veseli ka deklaruar se ky peticion i 24 mijë qytetarëve nuk është drejtuar tek kryesia, d.m.th. janë marrë me çështje kaq triviale, kaq idiotike, ky është ofendim i madh për qytetarët e Kosovës, kjo tregon që qytetarët të gjithë ata 24 mijë që janë mbledhur e kanë marrë mundin me dal edhe me u organizu për një kërkesë në drejtim të kuvendit janë të pavlefshëm, kjo është porosia që Kadri Veseli ua dërgon atyre”, tha Rugova.
Rugova shtoi se ajo çfarë qytetarët kërkojnë është hetim i pavarur për rastin e Astrit Deharit, shkarkimin e Ministres së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe ndjekje penale të zyrtarëve përgjegjës në qendrën e paraburgimit ku edhe ndodhej Astrit Dehari.
“Kërkojmë hetim të pavarur për rastin e Astrit Deharit, kërkojmë shkarkimin e ministrit të drejtësisë, si dhe ministrit të punëve të brendshme për shkak se ka qenë në juridiksionin e tyre kur ka ndodhur krimi makabër. Po ashtu, kërkojmë shkarkimin e gjithë zinxhirit komandues i cili ka lejuar nën udhëheqjen e tyre që të ndodh e që ka ndodhur, shumë zyrtarë të burgut që kanë qenë të implikuar në këtë rast janë njerëz që edhe ashtu kanë pasur suspendime më herët”, tha Rugova.
Ndërsa, Besa Luzha, gjithashtu përfaqësuese e shoqërisë civile, tha se nuk mund të injorohen 24 mijë nënshkrime që janë mbledhur nga qytetarët e Republikës së Kosovës.
Luzha kërkoi nga deputetët që të marrin parasysh kërkesat e peticionit, pasi seanca është vetëm njëra nga kërkesat e nënshkruara në peticion. Ajo kërkoi edhe realizimi i kërkesave të tjera e që është edhe dorëheqja nga dy ministrit përgjegjëse.
“Nuk kanë mujt me i injoru ato 24 mijë nënshkrime që ju i keni mbledhur në ato ditë të ftohta të nëntorit, pa marrë parasysh se si ata e prezantojnë gjendjen sot, megjithatë, po mbahet ajo seancë dhe shpresojmë se të gjithë deputetët që janë brenda e kanë parasysh të gjitha kërkesat që kanë qenë në peticion, sepse kërkesa për mbajtjen e seancës ka qenë vetëm njëra prej tyre, ajo sot është realizuar, të tjera kërkesa mbesin ato që kanë qenë, dorëheqja e dy ministrave me këtë situatë që është krijuar, me këtë vonesë më këtë neglizhencë të rastit është bërë e pashmangshme dhe më e pakta që mund të bëhet,” tha Luzha.
Veç tjerash, Luzha tha se tashmë ekzistojnë dy raporte ku sipas njërit Dehari është vetëvrarë dhe në tjetrin Dehari është vrarë dhunshëm. Ajo theksoi se duhet patjetër të bëhet diçka në mënyrë që qytetarëve t’iu kthehet besimi në drejtësi.
“Kemi dy raporte njëri thotë që është vetëvra tjetri thotë që është vra dhunshëm, ne duhet të dimë të vërtetën si qytetarë si shoqëri, ne duhet patjetër me ardh në atë pikë, ku qytetari të arrijë t’i besoj drejtësisë, se kjo vazhdon kjo neglizhencë siç është duke ndodhur, çdo qytetar do të ketë frikë t’i besoj çfarëdo verdikti nga institucionet e drejtësisë, prej këtyre institucioneve të drejtësisë që janë pothuajse të kapura në masë të madhe shumë prej tyre”, tha Luzha.
Ndryshe, kërkesat që i janë dorëzuar deputetëve me anë të shkresës janë hetim i pavarur dhe transparent për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, dorëheqjen e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për mosgatishmërinë morale e ligjore për të kërkuar dhe dhënë përgjegjësi për vdekjen e Astrit Deharit, si dhe fillimin e menjëhershëm të ndjekjes penale të përgjegjësve që dështuan të garantojnë sigurinë e jetës së Astritit në institucionet e shtetit dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mos trajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij. /KP